Ndërtimi i përgjithshëm i seksionit shqiptar të gazsjellësit Joaniano-Adriatik, parashikohej të niste në mes të vitit 2021, por ndonëse jemi në muajin gusht, punimet nuk kanë filluar ende. Afati i nisjes së punimeve përcaktohej në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social, që është përfunduar në dhjetor të vitit 2020, por që u nxorr për konsultim publik në muajin qershor. Sipas dokumentit, punimet parashikohet të zgjasin përafaërsisht 4.5 vjet e nëse tashmë do të kishin nisur sipas paarshikimeve në fund të vitit 2025 do të kryhet komisionimi.
Megjithatë, në dokument saktësohet se programi përfundimtar specifik i ndërtimit do të varet nga çështje të ndryshme teknike dhe kontraktuale dhe do të marrë në konsideratë faktorët mjedisorë dhe socio-ekonomikë. IAP është një tubacion i propozuar për gazin natyror në të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit, i cili do të sjellë gaz nga rezervat e reja të Rajonit Kaspik, në Evropën Jugore dhe Qendrore. Ky gazsjellës është pjesë e sistemit ndërkombëtar të transmetimit të gazit që kalon nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Kroaci e që lidh sistemin kroat të transmetimit të gazit me Gazjellësin Trans-Adriatik në pikën marrëse në Shqipëri.
Gjatësia e përgjithshme e tubacionit të gazit nga qyteti kroat Split deri në qytetin shqiptar Fier është 520 km dhe shtrihet kryesisht në tokë përgjatë bregdetit Adriatik dhe atij Jonian. Gjatësia e tubacionit në seksionin shqiptar do të jetë afërsisht 170.3 km dhe do të ketë 13 instalime sipërfaqësore. Tubacioni nis në afërsi të fshatit Seman, ndërkohë që pika lidhëse me Malin e Zi është në lumin Buna./Scan tv/