Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka bërë të ditur se janë shtyrë afatet për aplikim për subvencionet nga Pako e Ringjalljes Ekonomike në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, deri më datën 15 shtator.
Sipas njoftimit, MKRS më 18 gusht ka prezantuar planin e ndarjes së subvencioneve në vlerë prej 5 milionë eurosh në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, prej tyre 2.5 milionë për rini dhe sport dhe 2.5 milionë euro për kulturë dhe trashëgimi kulturore.
Nga buxheti 5 milionësh, përveç që do të financohet skena e pavarur kulturore, organizatat sportive, organizatat e trashëgimisë kulturore dhe organizatat që punojnë me të rinjtë, do të përfitojnë edhe institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në nivel komunal.
Në kuadër të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore shpërndarja e këtyre fondeve do të bëhet në tri module.
Moduli i parë është thirrja publike për projekte të OJQ-ve dhe individëve. Për herë të parë individët do të kenë mundësinë të marrin mbështetje deri në vlerën 25 mijë euro, ku më parë shuma maksimale ka qenë 5 mijë euro.
Në modulin e dytë është blerja e veprave të artit. Përmes fondit të ringjalljes, me blerje direkte të veprave artistike, mundësohet njohja dhe përkrahja e krijimtarisë kulturore-artistike në Kosovë. Të gjitha ato vepra do të inventarizohen, mbrohen dhe të bëhen pjesë e koleksioneve të Galerisë, Bibliotekës Kombëtare dhe muzeve të Kosovës.
Ndërsa, në modulin e tretë përmes memorandumeve të bashkëpunimit me të gjitha komunat e Kosovës mundësohet mbështetja e të gjitha institucionet lokale artistike: teatrot e qyteteve, bibliotekat komunale dhe muzetë komunale si dhe muzetë e tjera me status publik.
Për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë janë ndarë 500 mijë euro nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike.
Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirjen në tregun e punës, ndërmarrësinë dhe aftësimin profesional.
Gjithashtu, në pjesën tjetër të vitit me buxhetin e rregullt të Ministrisë do të mundësohet trajnimi në punë për të rinjtë dhe do ndahen grante për bizneset e udhëhequra nga të rinjtë. Vlera e këtyre dy programeve është 1 milion euro.
Kurse, 2 milionë euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit, ku ndarja e fondeve në sport përfshin tri module:
Kjo është hera e parë që MKRS-ja hap thirrje publike për subvencionimin e individëve dhe organizatave që kanë për qëllim zhvillimin dhe promovimin e sportit garues, sportit për të gjithë, menaxhimin sportiv dhe zhvillimin e hulumtimit dhe të dokumentimit në fushën e sportit. Vlerat maksimale të përkrahjes përmes kësaj thirrjeje janë: 30 mijë euro për individë dhe 150 mijë euro për organizata.
Moduli i dytë parasheh mbështetje për fuqizimin e sportit shkollor dhe sportit universitar, i cili do të ndihmojë në organizimin e ligave shkollore në sportin e basketbollit dhe futbollit dhe në organizimin e Kampionatit Botëror të Hendbollit Universitar.
Moduli i tretë me fokus të veçantë do të trajtojë mbulimin e shpenzimeve për shërimin dhe rikuperimin e lëndimeve sportive për sportistët e përfaqësueseve shtetërore dhe sportistëve të ligave më të mëdha në vend.
Vlera totale e buxhetit për përkrahjen e komunitetit artistik, rinor dhe sportiv nga MKRS për 2021 është 13 milionë euro. Kjo vlerë e buxhetit është rritur në mënyrë sistematike përmes rishikimit të buxhetit të MKRS-së dhe Pakos së Ringjalljes Ekonomike.