Kompensimi i punëtorëve, shpenzimi më i madh qeveritar në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Llogaritë Qeveritare të Kosovës në bazë tremujore (TM2 2021). Ky botim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Gjithsej të hyrat e përgjithshme të Qeverisë së përgjithshme në TM2 2021 ishin 660 milionë euro, ndërsa të hyrat në TM2 2020 ishin 587.2 milionë euro.

Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 59.9% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Reklama e sponzorizuar

Gjithsej shpenzimet e Qeverisë në TM2 2021 ishin 505.9 milionë euro, ndërsa shpenzimet në TM2 2020 ishin 534.9 milionë euro.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 32.1%; kontributet sociale dhe përfitimet 27.3%; konsumi i ndërmjetëm 15.4%; formimi i kapitalit bruto 11.0%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.