Nisi sot, dita e parë e takimit tre ditor që Adminstrata Tatimore Shqiptare do të zhvillojë me homologët nga Kosova, të cilët u pritën nga Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z.Klajd Shuka dhe përfaqësues të tjerë të DPT-së.
Ky trajnim do të konsistojë në bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojës së Administratës Tatimore Shqiptare në implementimin e procesit të Fiskalizimit, reformë që në vendin tonë ka nisur zbatimin ligjor që prej 1 Janarit të këtij viti.
Gjatë fjalës së tij, Klajd Shuka bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së reformës së Fiskalizimit, mënyrën e funksionimit, ndërveprimet me palët e interesit, problematikat e hasura në fillim si dhe qëndrimet e Administratës Tatimore.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Administratës Tatimore së Kosovës vlerësuan raportet dhe gatishmërinë për zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta rreth kësaj reforme, në të cilat Administrata Kosovare është në hapat e para.
Në vijim, përfaqësuesit e grupit të punës së Fiskalizimit në DPT, prezantuan disa materiale informuese gjithëpërfshirës mbi këtë reforme si: a) Përmbajtja e funksionimit të faturës elektronike, b) Prezantimin e elementeve të Faturës Elektronike, c) Përmbajtja e regjistrit të Riskut, d) Matja dhe evaluimi i gjithë procesit etj.
Më pas u zhvilluan dhe sesione pyetje-përgjigje, ku paqartësive të homologëve nga Kosova ju kthyen përgjigje shteruese nga përfaqësuesit e DPT-së.