Ajri i zyrës po na bën budallenj!

Një studim i rëndësishëm duhet t’i bëjë gjithë kompanitë të rimendojnë zyrat e tyre.

Të gjithë e përfytyrojmë zyrën si vendi i vetëm ku mund të jemi më produktivë në punë. Por nëse jetoni në një vend ku nivelet e ndotjes nuk janë nën kontroll (që është pothuajse kudo), nuk është për t’u habitur që cilësia e ajrit në zyrën tuaj të jetë edhe më e keqe se ajo jashtë, veçanërisht nëse nuk ka ventilim. Kjo sjell një sërë pasojash shëndetësore, veçanërisht në lidhje me sistemin e frymëmarrjes.

Një studim i ri nga Universiteti i Harvardit, zbuloi se ajri që thithim po na bën gjithnjë e më budallenj, në plot kuptimin e fjalës. Studimi tregon se ajri i ndotur në zyra, ngadalëson aftësinë për t’u përqendruar në një detyrë dhe për të shmangur shpërqendrimet në mjedisin ku punojmë.

Reklama e sponzorizuar

Studiuesit vëzhguan me qindra punonjës zyrash: konkretisht 42 zyra në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Tajlandë, Kinë, Indi dhe Meksikë. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 33 vjeç.

Çdo punonjësi zyre në studim iu dha nga një sensor ajri, që mat dioksidin e karbonit dhe grimcat në ajër dhe sensorët u vendosën në tryezat e punës. Më pas, çdo punonjës u ngarkua me një sërë testesh njohëse gjatë një periudhe njëvjeçare.

Duke kombinuar të dhënat e marra nga sensorët individualë të ajrit dhe rezultatet nga testet njohëse, studiuesit zbuluan një lidhje të drejtpërdrejtë – sa më e lartë të ishte ndotja në mjedisin e punonjësve, aq më i ulët ishte rezultati në testet njohëse.

Ajri i zyrës ka një ndikim të menjëhershëm në funksionin tuaj njohës. “Ky nuk ishte një studim mbi ndërtesat e ndërtuara keq. Nuk shkuam të kërkojmë ndërtesat më të këqija në botë dhe të zbulojmë rezultatin se ndërtesat e këqija janë me të vërtetë të dëmshme për shëndetin” – thotë Joseph Allen, profesor në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard dhe autor i studimit Healthy Buildings: How Indoor Spaces Drive Performance and Productivity. “Këto janë ato që nga të gjithë konsiderohen ndërtesa të mira, nën kuadrin ekzistues se si i mendojmë ndërtesat tona”.
Sipas udhëheqësit të studimit, Jose Guillermo Cedeno Laurent, edhe nëse një punëtor është shumë i angazhuar në një detyrë, ajri i ndotur do ta ngadalësojë dukshëm punën e tij, në krahasim me dikë që punon në një mjedis me ajër më të pastër.

Ka një zgjidhje të mirë për këtë problem, por nuk është e lehtë për t’u zbatuar. Studimi thotë se cilësia e ajrit të brendshëm mund të “fiksohet” duke sjellë më shumë ajër nga jashtë, gjë që zvogëlon nivelet e dioksidit të karbonit brenda zyrës. Por zyra duhet të ketë të instaluar filtra të klasit të lartë MERV13. Ky është një sistem vlerësimi i përdorur për të përcaktuar se sa efektiv është një filtër grimcash në kryerjen e punës së tij – pra filtrimin e grimcave në ajër.

Sigurisht, është e kushtueshme të zëvendësosh filtrat ekzistues në një ndërtesë, dhe nuk është një detyrë e lehtë për menaxherët e ndërtesave. Një mënyrë tjetër për të zvogëluar rrezikun është duke u siguruar që zyrat të mos jenë të mbipopulluara sepse sa më shumë njerëz të ketë, aq më shumë dioksid karboni do të qarkullojë në ajër. / Fast Company