Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur projektrregulloret e para në mbështetje të ligjit për tregtimin e kriptovalutave që u miratua vitin e kaluar.
Projektrregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ka si objekt përcaktimin e rregullave të detajuara në lidhje me mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta për të mbuluar përgjegjësinë profesionale të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent, bursë dhe kujdestar i portofolit të palëve të treta.
Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë duhet të sigurojnë një nivel të mjaftueshëm të kapitalit rregullator, i cili duhet të jetë në çdo kohë të paktën sa vlera më e lartë mes nivelit minimal të kapitalit i përcaktuar në ligj për subjektet e që veprojnë në tregun e kriptovalutave, (ku përfshihen agjenti i Tokenit Digjital (TD), bursat DLT dhe kujdestarët e portofolit të palëve të treta), ose sa një e katërta e shpenzimeve të përgjithshme fikse të vitit paraardhës, të rishikuara çdo vit. Kapitalizimi mund të përmbushet përmes fondeve të vetë subjektit ose një police sigurimi për mbulimin e përgjegjësisë profesionale.
Çdo bursë DLT duhet të vërtetojë se ka një kapital fillestar minimal prej 20 milionë, deri në 90 milionë lekë, në varësi të kategorisë së licencës. Për agjentët TD dhe kujdestarët e portofolit të palëve të treta, kapitali minimal fillestar sipas ligjit duhet të jetë të paktën 18 milionë lekë. Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë mund të mbulojnë përgjegjësinë e tyre profesionale përmes një police sigurimi e cila ka një afat fillestar jo më pak se një vit dhe ka një periudhë njoftimi për anulimin e saj prej të paktën 90 ditësh.
Polica e sigurimit duhet të përfshijë mbulimin kundrejt rrezikut të humbjes së dokumenteve, paraqitjes së informacionit të rremë apo mashtrues, veprime ose mosveprime që rezultojnë në shkelje të detyrimeve ligjore dhe rregullatore, humbjet që vijnë nga ndërprerja e veprimtarisë së shoqërisë ose dëmtimet e sistemit, humbjes që vjen nga moszbatimi i politikave dhe rregullave në kuadër të ruajtjes së të dhënave ose sulmeve kibernetike, etj.
Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” u miratua në maj të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi duke filluar nga data 1 shtator 2020. Megjithatë, licencimi i subjekeve për aktivitetet që parashikon ligji ende nuk ka qenë i mundur, pikërisht për shkak të mungesës së akteve të nevojshme nënligjore. Sipas AMF-së, që nga hyrja në fuqi e ligjit kryerja e aktiviteve të parashikuara prej tij pa licencë është e ndaluar. Megjithatë, deri tani nuk rezulton që Shqipëria të ketë ndaluar apo kufizuar aksesin në bursat online që mundësojnë tregtimin e kriptomonedhave.