Banka Qendrore e Turqisë uli normën e repos njëjavore, e njohur gjithashtu si norma e interesit, me 100 pikë bazë në 18 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komiteti i Politikës Monetare në takimin e saj të nëntë këtë vit vlerësoi inflacionin bazë dhe tronditjet e ofertës të cilat mund të ndikohen nga politika monetare, dhe vendosi të rishikojë qëndrimin e politikës monetare të bankës.
“Në përputhje me rrethanat gjykohet se nevojitet një rishikim në qëndrimin e politikës monetare dhe vendosëm për uljen e normës së interesit”, njoftoi banka.
Ajo e ka mbajtur normën e interesit të qëndrueshme gjatë pesë takimeve të mëparshme që kur u emërua guvernatori i deritashëm Şahap Kavcıoğlu.
Duke adresuar normalizimin e përbërjes së kërkesës në nivel global, banka tha se rritja e inflacionit global do të jetë kryesisht e përkohshme.
“Prandaj, bankat qendrore në ekonomitë e përparuara vazhdojnë qëndrimet e tyre mbështetëse monetare dhe programet e blerjes së aseteve”, thuhet më tej.
Politika aktuale e shtrëngimit monetar dhe kërkesa e fortë e jashtme ndikuan pozitivisht në bilancin e llogarisë rrjedhëse, tha banka, duke shtuar: “Llogaria rrjedhëse pritet të ketë një suficit në pjesën tjetër të vitit për shkak të trendit të fortë të rritjes së eksporteve, si dhe përparimit në programin e vaksinimit që stimulon aktivitetet e turizmit”.
Sipas një hulumtimi nga AA javën e kaluar, 18 ekonomistë nuk prisnin asnjë ndryshim në normën e repos njëjavore, ndërsa parashikimi i dy ekonomistëve ishte një rënie prej 100 pikësh bazë.
Në fillim të këtij viti, norma e interesit ishte 17 për qind, kurse në mars banka e ngriti normën në 19 për qind.
Norma vjetore e inflacionit në Turqi ishte 19,25 për qind në korrik, sipas të dhënave të fundit nga Instituti Statistikor Turk (TurkStat).