Banka Qendrore e Kosovës ia ka revokuar licencën kompanisë së sigurimeve ‘Kosova e Re’, pas 11 muajve nën administrim të përkohshëm.
“Bordi ekzekutiv ka marrë vendim që siguruesit Kosova e Re t’i revokohet licenca”, ka thënë Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, gjatë një konference për media sot.
Me këtë rast kompania “Kosova e Re” ka shkuar në likuidim, pas paaftësisë së kompanisë për t’i përmbushur kërkesat ligjore për kapital të përcaktuara me ligj, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndryshe, Kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, ishte nën administrim të përkohshëm nga Banka Qendrore e Kosovës që nga 1 nëntori i vitit 2020 deri më 30 prill të 2021.
Mirëpo, pas kalimit të afatit të administrimit të përkohshëm, BQK-ja kishte vendosur ta fusë edhe në listën e zezë këtë kompani në mënyrë që t’i jepte afat edhe dy muaj shtesë.
BQK-ja i kishte dhënë afat edhe dy muaj kësaj kompanie në mënyrë që të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të saj dhe në përmbushjen e kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike.
Bordi i BQK-së para se ta jepte këtë vendim për listën e zezë, kishte konstatuar se siguruesi “Kosova e Re” nuk kishte shfaqur kurrfarë faktesh për përmirësim të gjendjes financiare.
“Si rezultat i gjendjes së rënduar financiare dhe mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, si dhe në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe sigurimit të stabilitetit financiar të sektorit, BQK-ja gjatë këtij viti ka marrë vendimin për vendosjen nën administrim të përkohshëm të siguruesit “Kosova e Re”, ishte thënë në njoftimin për media të BQK-së në dhjetorin e kaluar, kur edhe ishte njoftuar për futjen nën administrim të kompanisë.
Kompania “Kosova e Re” është në pronësi të kompanisë nga Ferizaj “Fitorja” SHPK. /Buletini Ekonomik/