Çka parasheh Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për personat zyrtarë?

Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i shpallur me dekretin Nr.DL-028-2011, më 31 gusht të 2011-s nga ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe i përshtatur e plotësuar në vitin 2014, është shumë i qartë, goxha konciz dhe nuk lë shumë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Ky ligj i përcakton detyrimet e zyrtarëve të lartë publikë për ta deklaruar pasurinë, të hyrat dhe prejardhjen, detyrën e Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) për ta kontrolluar deklarimin dhe kontrollin e pasurisë si dhe detyrimet e të gjithë personave zyrtarë për t’i deklaruar dhuratat dhe prejardhjen e tyre.

Ky ligj rregullon procedurën e deklarimit dhe kontrollin e pasurisë, të hyrat dhe detyrimet e zyrtarëve të lartë publik, anëtarët e familjes si dhe sanksionet e përcaktuara.

Reklama e sponzorizuar

Ligji në fjalë, po ashtu, rregullon procedurën e deklarimit, kontrollit për dhuratat dhe prejardhjen e tyre të pranuara nga të gjithë personat zyrtarë nëpër institucionet shtetërore.

Edhe dje gjatë konferencës së mbajtur nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), ku u prezantua Rregullorja e brendshme për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, u tha se në këtë rregullore është paraparë gjithashtu ndalimi i marrjes së dhuratave që bien ndesh me ligjin nga zyrtarët publikë, përcjell Buletini Ekonomik.

Më konkretisht, sipas këtij Ligji, të gjithë zyrtarët e lartë publikë obligohen ta deklarojnë dhe ta paraqesin prejardhjen e e pasurisë dhe të dhuratave, të cilat i kanë pranuar si zyrtarë ose edhe dhuratat e karakterit personal.

Zyrtarët e lartë publikë kanë obligim që t’i evidentojnë të gjitha dhuratat, t’i deklarojnë ato dhe ta njoftojnë për to, ndër të tjera, edhe Agjencinë Kundër Korrupsion.

Ligji, poashtu, obligon që regjistri i dhuratave të jetë publik dhe në këtë mënyrë institucionet përkatëse janë të obliguara të sigurojnë qasjen e publikut në regjistër në pajtim me procedurat e përcaktuara me Ligjin për qasjen në dokumente zyrtare. Bazuar në Ligj, Institucionet publike duhet t’i emërojnë zyrtarët përgjegjës për mbajtjen e regjistrit të dhuratave.

Të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave që kanë dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që përcaktohet nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën. Kopjet e katalogëve duhet t’i dërgojnë në AKK jo më vonë se më 31 mars të vitit në vijim.

Në nenin 11 të këtij ligji përcaktohen edhe kriteret për pranimin e dhuratave nga zyrtarët publikë.

Sipas Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë:

1.“Personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit”.

  1. Dhuratat protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme.
  2. Zyrtari nuk mund të marrë më shumë se një dhuratë në vit nga i njëjti person, apo institucion.
  3. Personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata monetare.
  4. Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet të paraqesë dhuratën.
  5. Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë.
  6. Nëse dhurata e rastit nuk është e karakterit personal, ajo menjëherë bëhet pronë e institucionit në të cilën personi zyrtar ushtron detyrën.
  7. Dhuratat protokollare bëhen pronë e institucionit në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën.
  8. Dhuratat protokollare si: simbolet shtetërore, medaljet dhe shenjat protokollare, mund të përdoren gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Ndërkohë Neni 12 për Regjistrimin e dhuratave thotë kështu:

  1. Të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave që kanë dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që përcaktohet nga Agjencia dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën.
  2. Institucionet sipas paragrafit 1 të këtij neni, duhet t’i emërojnë zyrtarët përgjegjës për mbajtjen e regjistrit të dhuratave dhe duhet ta informojnë Agjencinë për emrat dhe pozitat e personave përgjegjës.
  3. Me kërkesën e personit zyrtar që ka pranuar dhuratën, Agjencia me vendim mund të lejojë të merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse se dhurata i është dhënë për qëllime personale dhe nuk ndikon ose nuk duhet të ndikojë në kryerjen e detyrës zyrtare.
  4. Regjistri i dhuratave është publik. Institucionet përkatëse janë të obliguara të sigurojnë qasjen e publikut në regjistër, në pajtim me procedurat e përcaktuara më Ligjin për qasjen në dokumentet zyrtare.
  5. Institucionet publike që janë të obliguara të mbajnë regjistër të dhuratave duhet t’i dërgojnë në Agjenci kopjet e regjistrave të vitit paraprak, por jo më vonë se më 31 mars të vitit në vijim.
  6. Agjencia kontrollon regjistrat e dhuratave dhe në rast të ndonjë devijimi, u kërkon institucioneve të marrin masa për zbatimin e plotë të këtij ligji.
  7. Nëse Agjencia konstaton se personi zyrtar i ka shkelur dispozitat e këtij ligji dhe nëse shkelja nuk dyshohet se përbën vepër penale, informon institucionin në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën dhe kërkon që ndaj shkelësit të merren masa disiplinore. Institucioni përkatës duhet ta informojë Agjencinë për masat disiplinore që janë marrë ndaj personit zyrtar.
  8. Në raste dyshimi për vepër penale, Agjencia pas hetimeve të kryera, ia paraqet kallëzimin penal prokurorisë kompetente.

Duhet theksuar se megjithë qartësinë evidente të Ligjit, ai në raste të shpeshta nuk është respektuar nga zyrtarët. /Buletini Ekonomik/