Dy laboratorë do ta kontrollojnë cilësinë e asfaltit nëpër rrugët e Kosovës

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka paralajmëruar kompanitë që merren me ndërtimin e rrugëve se çdo situatë kur nuk respektohen kushtet e kontratës do të jetë kosto e veçantë për ta, dhe si rrjedhojë do të detyrohen ta punojnë sërish rrugën.

Ai përmes një njoftimi në facebook, ka njoftuar se dje ka vizituar edhe dy laboratorët e përzgjedhur për të kontrolluar cilësinë e asfaltit nëpër rrugët e Kosovës, përmes të cilave ai thotë se si shtet do të sigurohemi nëse po përdoren materialet sipas specifikacioneve të parapara në kontrata.

Edhe për dy laboratorët në fjalë, ai lëshoi një paralajmërim që të punojnë me profesionalizëm, pasi si ministri nuk do të tolerojnë asnjë devijim në këtë aspekt, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Durmishit, çdo pozicion që nuk është punuar sipas standardeve dhe specifikacioneve teknike të parapara me kontratë do të punohet përsëri dhe kjo do të ju kushtojë përsëri atyre.

“Nuk ka më tolerime. Punoni ndershëm dhe me profesionalizëm sepse më nuk paguani haraç sikur në të kaluarën. Ka përfunduar koha kur fitimin e juaj e merrnin ata nga zyret. Kujdes, sepse është edhe në të mirën tuaj”, përfundon njoftimi i zëvendësministrit. /Buletini Ekonomik/