Fermerët kosovarë: Kriteret për subvencionimin e kultivimit të grurit të papërballueshme

Çka kërkojnë fermerët e pakënaqur kosovarë – kultivues të grurit, të cilët të enjten kanë protestuar duke  zënë rrugët para Ministrisë Bujqësisë me rreth 200 traktorë. Pse janë të pakënaqur me kriteret e reja për subvencionimin e kultivuesve të grurit. Cili është shpjegimi I zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë rreth këtyre kritereve?

Blendrita Avdiu

Mehmet Selmani, fermer nga Lipjani, për Buletinin Ekonomik ka thënë se si fermer është në kundërshtim me masat e reja që i ka marrë Ministria e Bujqësisë për parcelat edhe fletat poseduese të tokave bujqësore.

Reklama e sponzorizuar

Ai gjithashtu tha se edhe pse është subvencionuar, grante nuk ka fituar asnjëherë deri më tani, sado që ka aplikuar 3 ose 4 herë, ndonëse është i bindur se i plotëson të gjitha kriterët.

“Shuma të cilën e kam marrë nuk ka mjaftu, i kam 25 lopë, edhe në bazë të këtyre numrave munden ata me e ditë se kush është fermer kush jo se aty kërkohet se sa lopë i ki, sa pula i ki, sa tokë mbjellë”, ka thënë Selmani.

Krahas kësaj, ai gjithashtu shtoi se si pasojë e këtyre kritereve nuk mundet me i mbjellë më shumë se 10 hektarë grurë për shkak të pamundësisë për ta rregulluar dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet nga ministria.

“Gjatë këtij viti kam planifikuar me mbjellë 20 ha grur, 20 ha misër, vitin e kalum i kam pas 22 ha e ndërkaq në bazë të këtyrë kërkesave sivjet arrij me i dokumentue vetëm 10 ha pasiqë nuk muj me arrit me i rregullu letrat që po kërkohën nga këta”, tha tutje fermeri.

Po të njëjtin shqetësim e kishte edhe fermeri Fadil Rexha nga komuna e Lipjanit, i cili tha se kriteret e reja që i ka vendosur ministria janë të pëpërballueshme për të, ndërkohë që në vitin 2020 i janë ndalur mbi 6 mijë euro subvencione pikërisht për shkak të këtyre fletave poseduese.

Duke folur rreth pakënaqësive të tij si fermer, ai tha se problem tjetër i tyre ka qenë edhe blerja e grurit nga depot e ndryshme ku gruri është shitur për vetëm 18 centë, ndërkohë që kishte dorëzuar diku 85 mijë kg grurë tek kompania M&Sillosi.

“Unë si fermer jam subvencionuar me nga 150 euro për ha edhe pse mbi 20 hektarë pa subvencionim më mbesin çdo vit, ndërsa sivjet do të më mbesin mbi 40 ha” tha fermeri Rexha.

Ndërkohë, Skender Ademi, fermer nga Ferizaji, tha se nuk mund t’i plotësojë këto kritere që i kërkon ministria, pasi që ka shumë tokë të mbjellur – rreth 250 ha, prandaj edhe nuk mund t’i përmbush të gjitha kriteret.

Edhe ky fermer përmendi si problem edhe punën e parcelave duke thënë se puna e kadastrave nuk është e rregulluar në Kosovë dhe se është punë e vështirë për t’i nxjerrë numrat e tyre në mënyrën se si i kërkojnë ata.

“Pikë së pari është puna e parcelave pasiqë puna e kadastrave nuk është e rregullume. Parcelat janë numra të vdekur, numrat kadastral me i nxjerrë qysh po i lypin këta është vështirë. Tjetra kërkesë është çmimin e grurit”, tha tutje fermeri kosovar.

Pas kësaj proteste, ka reaguar Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural duke thënë se ata si ministri e respektojnë të drejtën për protestë të secilit fermer dhe po ashtu i pranojnë me kujdes kërkesat që i adresojnë ata ndaj programeve mbështetëse të ministrisë.

“Duke pasur parasysh që kërkesat e fermerëve dhe përfaqësuesve të tyre adresohen çdo vit gjatë procedurave të hartimit të programeve mbështetëse, MBPZhR-ja bën shqyrtimin dhe më pastaj edhe inkorporimin e tyre në programet dhe politikat e saj, konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi” shkruhet në postimin e ministrisë.

Sipas tyre, MBPZhR-ja gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte –Subvencioneve për vitin 2021, i ka përfshirë në grupet punuese edhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë.

“Duhet theksuar se MBPZhR-ja, Programin e Pagesave Direkte -Subvencioneve për vitin 2021 e ka hartuar bazuar në Ligjin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural dhe Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte për vitin 2021, i cili paraprakisht ka kaluar të gjitha proceset konsultative institucionale dhe me publikun. Pra, kriteret dhe të gjitha procedurat tjera në kuadër të këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi” thuhet tutje në postim. /Buletini Ekonomik/