Grupi i 20 vendeve më të pasura të botës, i njohur si G20 është pajtuar për të rritur përpjekjet që të ndihmojnë vendet e varfra të vaksinojnë popullsinë e tyre kundër COVID-19.
Italia, e cila mban presidencën e G20-së këtë vit tha se “Pakti i Romës” përfshin një marrëveshje që parasheh mbështetjen financiare për vendet e varfra dhe dërgesa më të shumta të vaksinave.
“Ekziston një angazhim politik që të lehtësohet shpërndarja e vaksinave në të gjithë botën”, është shprehur ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.
Megjithatë nuk është bërë e ditur asnjë e dhënë konkrete sesi do të ndihmohen këto vende. Takimi është mbajtur në nivel të ministrave të Shëndetësisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje udhëheqësve botërore që të angazhohet për të rregulluar qasjen e barabartë në vaksina kundër COVID-19, në mënyrë që të parandalohet një valë e re e të infektuarve.
Më herët drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se situata në Afrikë është po aq e rrezikshme sa përhapja në gjithë botën e variantit Delta.
“Bota jonë po dështon. Problem është furnizimi, thjesht na jepni vaksinat”, pati thënë Ghebreyesus.
COVAX, një program botëror për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra i udhëhequr bashkërisht nga aleanca e vaksinave GAVI dhe OBSH-ja, ka shpërndarë miliona doza të vaksinave kundër COVID-19 në 132 vende.
Shpërndarja ka filluar që nga shkurti, por është përballur me probleme të furnizimit që kur India pezulloi eksportet e vaksinave