Udhëheqësit e Bankës Botërore, përfshirë shefen ekzekutive të atëhershme, Kristalina Georgieva, ushtruan “presion të padrejtë” mbi stafin, për të rritur renditjen e Kinës në raportin e bankës “Doing Business 2018”, sipas një hetimi të pavarur të publikuar të enjten.
Raporti, i përgatitur nga firma ligjore WilmerHale me kërkesë të komitetit të etikës së bankës, ngre shqetësime në lidhje me ndikimin e Kinës në Bankën Botërore dhe gjykimin e Georgieva-s, tashmë drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar – dhe presidentit të atëhershëm të Bankës Botërore, Jim Yong Kim.
Georgieva tha se nuk ishte dakord “me gjetjet dhe interpretimet” e raportit dhe kishte informuar bordin ekzekutiv të FMN-së.
Grupi i Bankës Botërore anuloi të enjten të gjithë raportin “Doing Business” mbi klimën e biznesit, duke thënë se auditimet e brendshme dhe hetimi nga WilmerHale kishin ngritur “probleme etike, duke përfshirë sjelljen e ish-zyrtarëve të Bordit, dhe të stafit aktual”.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së, tha se po analizonte këto “zbulime serioze”.
Raporti nga WilmerHale citoi “presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë” nga stafi i Jim Yong Kim për të ndryshuar metodologjinë e raportit dhe për të rritur pikët e Kinës.
Raporti tha se Georgieva dhe një kryekëshilltar, Simeon Djankov, kishin ushtruar presion për të “bërë ndryshime specifike në rezultatet e Kinës” dhe për të rritur renditjen e saj në një kohë kur banka po kërkonte mbështetjen e Kinës për një rritje të madhe të kapitalit.
Kim nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Renditja e Kinës në raportin “Doing Business 2018”, botuar në tetor 2017, u rrit shtatë vende duke arritur në vendin e 78-të, pas ndryshimeve të metodologjisë së të dhënave, krahasuar me projekt-raportin fillestar.
Raporti “Doing Business” i rendit vendet bazuar në mjediset e tyre rregullatore dhe ligjore, lehtësinë e kryerjes së biznesit, financimin, infrastrukturën dhe masat e tjera të klimës së biznesit.
‘ZBULIME SERIOZE’
Raporti vjen gati dy vjet pasi Georgieva mori drejtimin e FMN-së, pak para krizës më të madhe globale ekonomike në historinë 76-vjeçare të Fondit, të nxitur nga pandemia COVID-19.
Raporti nga WilmerHale citoi gjithashtu presione në lidhje me të dhënat e përdorura për të përcaktuar renditjen për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Azerbajxhanin në raportin “Doing Business 2020” të botuar në vitin 2019, por nuk gjeti asnjë provë që ndonjë anëtar i Zyrës së Presidentit të Bankës Botërore ose bordi ekzekutiv ishin të përfshirë në këto ndryshime.
Arabia Saudite u ngjit me 30 vende duke arritur në vendin e 62-të në raportin “Doing Business 2020”.
“Në vijim, ne do të punojmë në një qasje të re për vlerësimin e klimës së biznesit dhe investimeve,” tha Banka Botërore./Buletini Ekonomik/