Kritika ndaj njëri tjetrit prej ditësh kanë nisur mes Qeverisë e partisë së Ramush Haradinajt. Shkak u bë rruga nacionale Prishtinë-Pejë, për ndërtimin e së cilës u dashtë të bëhej shpronësimi i tokave në rrugën Kijevë-Klinë-Zahaq. Ministri i Financave Hekuran Murati dorëzoi kallëzim penal për shpronësimet në kohën kur Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës, teksa tha se u keqpërdor buxheti i shtetit duke i rritur vlerat e tokave shumë më tepër se që ishin. AAK-ja i doli menjëherë me reagim. Akuzat e Muratit i quajti propagandë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti me një sërë pyetjesh. Në Facebook ai ka thënë se nuk ka marrë përgjigje për shumë pyetje që ka ngritur vazhdimisht.
“Albin, ndale ushtrinë dixhitale. Nuk mund të dezinformosh më askënd, sepse secili qytetar i Kosovës, e ka të qartë që kryeministrat nuk merren me shpronësime e vlerësime pronash. A nuk ke fare turp? A nuk ke fare ndërgjegje?”, ka thënë ai.
“U bëre turpi i Kosovës” i është drejtuar Kurtit Haradinaj, ndërsa duke i kërkuar përgjigje për menaxhimin e pandemisë, Haradinaj ka thënë se Kurti po bën skandale për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet e vërteta. Shtoi se punësoi familjarë të cilët thoshte se nuk do t’i punësonte.
“Albin tërë pushtetin e ke në duar. Vepro në të mirë të vendit. Mos sajo skandale për të harruar mijëra viktima të virusit. Mjegullnajat tua që po i krijon për zhvendosjen e vëmendjes nga problemet e vërteta, nuk të bëjnë punë”.