Inspektorati i AUV-it brenda një muaji shqiptoi 739 gjoba dhe mbylli përkohësisht 118 biznese për shkelje të masave antiCOVID-19

Pas lehtësimit të masave antiCOVID-19 nga Qeveria e Kosovës gjatë muajve të verës, pati “shpërthim” të rasteve të reja me coronavirus si dhe rritje të numrit të vdekjeve të qytetarëve nga ky virus.

Si rezultat i kësaj, Qeveria vendosi që në fund të muajit të gusht të marrë sërish masa kufizuese për të parandaluar përhapjen edhe më të madhe të virusit COVID-19, e sidomos variantit Delta.

Në kuadër të kësaj, Qeveria rriti edhe numrin e inspektorëve të AUV-it të cilët së bashku me Policinë e Kosovës filluan inspektimet në teren lidhur me respektimin e këtyre masave.

Reklama e sponzorizuar

Nga 27 gushti e deri më 23 shtator, nga inspektorati sanitar i AUV-it janë shqiptuar 739 gjoba. Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në kuadër të përgjegjësive ligjore institucionale përmes inspektoratit Sanitar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbatimit të masave anti COVID 19 ndaj të gjithë shkelësve. Sipas planeve operative të punës gjithmonë kontrollet zyrtare bëhen ne koordinim me Policinë e Kosovës. Secila zyre regjionale e AUV-së, përmes koordinatorit të zyre, organizon punët ditore dhe javore të regjionit përkatës. Nga 27.08.2021 deri me datë 23.09.2021 nga inspektorati sanitar i AUV-së janë shqiptuar gjithsej 227 gjoba për persona fizik dhe 512 gjoba për persona juridik. Ndërsa janë mbyllur përkohësisht 118 subjekte, kryesisht lokale të gastronomisë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se varësisht nga lloji i shkeljes janë shqiptuar gjobat bazuar ne ligjin anti Covid, ku janë nga 35 euro deri në 2000 euro.

“Për personat juridikë në shumën e gjobës për shkelje, luan rol edhe kategoria se a është biznes individual apo jo. Arsyet e gjobitjes kanë qen të ndryshme, secili veprim qe ka ra ndesh me masat e vendosura me vendim të qeverisë është sanksionuar( mos krijim i kushteve për ruajtje të distancës, shërbim në hapësira të mbyllura, tejkalim i orarit të punës etj)”, u shpreh Thaçi.

Zëdhënësi i AUV-it, më tej ka theksuar se inspektorët në fokus të kontrollit kanë pasur: ndalimin e grumbullimit të njerëzve, ruajtjen e distancës, mbajtjen e maskës dhe higjienën e hapësirave të cilat kanë shërbyer për qytetar respektimin e orarit të punës, mos lejimin e shërbimit në hapësira të mbyllura.

“Mbikëqyrje me e rreptë i është bërë sektorit të gastronomisë, vlerësuar si pik kritike kontrolli, hapësira ku kontakti mes njerëzve është me i afërt. Qendrat tregtare ushqimore dhe jo ushqimore janë mbajtur nën mbikëqyrje në kohë kur mundësia e rritjes se fluksit të konsumatorëve ka qen me e madhe, kjo në vazhdimësi është penguar”, u shpreh Thaçi.

Kujtojmë se të premten Qeveria e Kosovës ka vendosur për masat e reja antiCOVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi nesër më 27 shtator 2021. Me masat e reja, do të hapen shkollat dhe çerdhet, e po ashtu do të lejohet sektori i gastronomisë që të punojë edhe në ambientet e mbyllura, duke shfrytëzuar 50 % të kapaciteteve.

Me gjithë lehtësimet e reja, në fuqi do të vazhdojë të mbes ora policore, ku pas orës 22:00 ndalohet lëvizja e qytetarëve, përveç rasteve urgjente.