Rritja e vazhdueshme e çmimeve, veçanërisht ndikuar nga efektet e pandemisë, ka bërë që inflacioni të shkojë në nivelet më të larta të pothuajse 5 vitesh.
Çmimet e produkteve bazë kanë shënuar rritje. Instituti Shqiptar i Statistikave ka raportuar një rritje të indeksit vjetor të çmimeve të konsumit gjatë muajit Gusht 2021 në nivelin 2,4%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3%. Ndërkohë, ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në Gusht ishte 0,4%.
Ekspertët vlerësojnë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, do të prekë më së shumti familjet e varfra, për të cilat shporta e ushqimeve mban peshë të madhe në shpenzimet mujore.
Në pikat e shitjes me pakicë, një litër vaj misri/ luledielli ka shënuar rritje deri në 70-80% krahasuar me një vit më parë. Nga 140 lekë/litër që ishte një vit më parë, ajo shkoi në 260 lekë/l. Së fundi edhe importuesit e grurit dhe prodhuesit e brumrave në vend kanë paralajmëruar se do të rritet çmimi edhe për bukën.