Kina dhe Rusia “pushtojnë” tregun e Kosovës me mallra

Fotografi ilustruese

Dy shtetet më të fuqishme në botë që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës, Rusia dhe Kina, kanë një qarkullim të lartë tregtarë në vendin tonë.

Vetëm nga këto dy shtete, sivjet Kosova importoi mallra në vlerë rreth 300 milionë euro. Derisa nga Serbia që në këtë vit ka një rritje të importit, arrin në rreth 200 milionë euro.

Kurse, dërgesat e Kosovës në këto vende janë minimale.

Reklama e sponzorizuar

Organizatat joqeveritare në vend kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të jetë më proaktive dhe t’i shfrytëzojnë këto raporte tregtare për avancimin ose normalizimin e marrëdhënieve me këto shtete për njohje.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se Kina është në kategorinë e top pesë vendeve nga të cilat Kosova importon. Derisa shton se mallrat e importuara nga Rusia janë kryesisht produkte të derivateve.

“Me Federatën Ruse nuk kemi ndonjë qarkullim të madh tregtar në aspektin e bilancit, mirëpo ka disa produkte të cilat vijnë nga Rusia apo që kanë origjinë ruse. Gjatë këtij viti deri tani kemi importuar vetëm 28 milionë euro vlerë produkte, derisa Kina me produktet e importuara, është në kategorinë e top pesë vendeve nga të cilat ne importojmë. Nga Rusia importojmë kryesisht produktet e naftës dhe derivateve. Derisa me Kinën import kemi pasur rreth 130 milionë euro, kurse gjatë këtij viti kjo shifër është rritë në 273 milionë vetëm në këtë periudhë që ne po flasim”, thotë ai.

Sa i përket edhe shtetit tjetër fqinjë, Serbia, që nuk e njeh Kosovën, Stavileci thekson se sivjet importi i mallrave me këtë shtet ka arrit rreth 200 milionë euro.

“Sa i përket Serbisë, duhet të themi se ne kemi pasur masa reciprociteti ndaj mallrave të Serbisë dhe kjo ka ndikuar që importi i produkteve serbe të zvogëlohet dukshëm. Nëse në një periudhë të mëhershme në kemi pasur rreth 450 milionë import brenda vitit nga Serbia, dirsa tani në këtë vit nuk pritet të kalohen ende 200 milionë euro të mallrave nga Serbia”, thekson Stavileci.

Për këtë çështje, Lirika Agusholli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se këto marrëdhënie tregtare me Kinën dhe Rusinë, të orientohen edhe në aspektin politik.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani thotë se ndalimi i këtyre produkteve është i vështirë, sidomos ai kinez. Ai shton se këto lidhje tregtare ishte dashur të shihen si mundësi.

Kosova ka një import të madh të mallrave edhe nga pesë shtetet e BE-së mos-njohëse të Kosovës me rreth 270 milionë euro në vit./KP/