Kolona të gjata janë formuar edhe të mërkurën para pompave të benzinës në pjesë të ndryshme të Londrës, përderisa vështirësitë për furnizim vazhduan, pavarësisht se kryeministri Boris Johnson tha se gjendja është duke u përmirësuar.
Britania e Madhe është prekur nga paniku i vozitësve për të blerë sasi masive të karburanteve që gati një javë, duke shkaktuar mungesë të produkteve në pompa, pasi kompanitë e naftës paralajmëruan se kanë mungesë të vozitësve të cisternave për t’i transportuar karburantet nga rafineritë.
Kryeministri Johnson është munduar që ta qetësojë publikun duke thënë se furnizimet po i kthehen normalitetit dhe bëri thirrje që njerëzit të mos blejnë karburante me panik. Sidoqoftë, në shumë rajone, pompat ende janë të mbyllura dhe vozitësit po presin në radhë në pompa ku ende ka karburant.
Reporterët e agjencisë Reuters panë kolona të gjata para pompave që nga ora 6 e mëngjesit në veri të Londrës dhe në autostradën e ngarkuar, M25, e cila sillet përreth kryeqytetit britanik. Reporterët panë edhe njoftime për mungesë të karburanteve, transmeton Gazeta Express.
Kjo krizë ka bërë që të ketë thirrje për t’u dhënë prioritet punëtorëve të sektorëve të rëndësishëm si mjekëve dhe infermierëve për mbushjen e veturave me karburante, por kësaj kërkese nuk i është përgjigjur kryeministri Johnson.
Qeveria ka vënë në gjendje gatishmërie 150 vozitës ushtarakë të cisternave. Mediet kanë raportuar se ata mund të angazhohen në ditët e ardhshme.