Vreshtarët nga rajoni i famshëm i kultivimit të rrushit – Rahovecit ankohen se çmimi grumbullues prej 26 centësh është shumë i ulët, madje nuk mbulon as shpenzimet elementare të prodhimit të rrushit. Në anën tjetër, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rura theksojnë se çmimi grumbullues i rrushit përcaktohet në bazë të cilësisë dhe rendimentit, por edhe të eksportit të verërave të prodhuara nga rrushi i Kosovës.
Blendrita Avdiu
Në këtë sezon të rrushit nuk ndalen ankesat e vreshtarëve për çmimin e ulët të grumbullimit të rrushit.
Vreshtarët nga rajoni i famshëm i kultivimit të rrushit – Rahovecit kanë theksuar në disa raste se çmimi grumbullues prej 26 centësh është shumë i ulët, madje nuk mbulon as shpenzimet elementare të prodhimit të rrushit.
Sipas tyre, më shumë kanë harxhuar për ta prodhuar një kg rrush çoftë duke investuar në pesticidet e nevojshme, në krahët e punës dhe në transport të rrushit deri tek blerësi sesa çmimi i caktuar grumbullues sivjet për një kilogram.
Në anën tjetër, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk pajtohen edhe aq shumë me vrejtjet dhe angesat e vreshtarëve. Ata theksojnë se çmimi grumbullues i rrushit përcaktohet në bazë të cilësisë dhe rendimentit, por edhe të eksportit të verërave të prodhuara nga rrushi i Kosovës.
Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, politikat mbështetëse për sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë, janë krijuar përmes Programit të Zhvillimit Rural, përkatësisht masave 101 dhe 103.
“Përmes këtij programi synohet rritja e prodhimit të rrushit të tryezës dhe rrushit të verës, përmirësimi i cilësisë me qëllim të përmbushjes së standardeve kombëtare dhe të atyre të BE-së, modernizimi i fermave përmes përdorimit të fidanëve cilësorë dhe mekanizimit modern, përmirësimi i integrimit të fermerëve me blerësit e produkteve të tyre etj.”, thonë për Buletinin Ekonomik nga kjo ministri.
Ata po ashtu thonë se vreshtaria dhe verëtaria mes të tjerash përkrahet edhe përmes Programit të Pagesave Direkte – subvencioneve, që është një masë inkurajuese për kultivimin e rrushit, mirëmbajtjen e vreshtave dhe rritjen e cilësisë së verës së prodhuar.
“Sipas analizave në Departamentin për Vreshtari dhe Verëtari, çmimi mesatar i prodhimit të një kilogrami rrush për përpunim varet nga kultivarët dhe rendimentet e rrushit”, thonë tutje nga Ministria e Bujqësisë.
Ata pohojnë se në kohën e sotme ekonomia e tregut i përcakton kushtet e operimit për individë dhe për kompanitë prodhuese.
Çmimi i grumbullimit të rrushit në Kosovë është rezultat i çmimeve nga tregu global dhe nga çmimi relativisht i ulët i verërave të Kosovës që eksportohen.
Nga ministria pohojnë tutje se çmimi grumbullues i rrushit varet shumë nga eksportet e verës që realizohen brenda vitit, pasi që tregu vendor absorbon një sasi të vogël të verës së prodhuar.
Ndërkaq, edhe sipas shoqatës së verëtarëve “Enologjia” ekziston çmimorja e pranimit të rrushit, e cila ndahet sipas kategorive, Është kategoria e parë dhe kategoria e dytë që definohet në bazë të përqindjes së sheqerit (cilësisë) dhe kultivarit të rrushit”./Buletini Ekonomik/