Ministria e Ekonomisë kërkon nga ndërmarrjet publike të caktojnë zyrtar që identifikon nepotizmin

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga ndërmarrjet publike qendrore që të caktojnë nga një zyrtar përgjegjës, i cili do të identifikojë rastet e nepotizmit dhe konfliktit të interesit brenda ndërmarrjeve tash e tutje, përcjell Buletini Ekonomik.

Siç thuhet në kërkesë, në cilësinë e aksionarit, mbështetur në legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike, Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga Anëtarët e Bordeve, Sekretarët dhe Kryeshefat Ekzekutiv të Ndërmarrjeve Publike Qendrore:

1. Zbatimin e të gjitha kërkesave që dalin nga këto ligje për ndërmarrjet, respektivisht caktimin e një Zyrtari përgjegjës (brenda kompanisë me detyrë shtesë) për pranimin dhe trajtimin e sinjalizimit për konflikt të interesit.

Reklama e sponzorizuar

2. Deklarimin në lidhje me konfliktin e interesit nga të gjithë zyrtarët në pozitat udhëheqëse brenda Ndërmarrjeve, Identifikimin, adresimin apo eliminimin e konflikteve të interesit brenda Ndërmarrjeve, si dhe

3. Raportimin i rregullt së paku çdo 6 muaj te Aksionari mbi numrin dhe natyrën e rasteve të konflikteve të interesit dhe nepotizmit në Ndërmarrje.

Në këtë kërkesë të parashtruar nga Ministria e Ekonomisë për ndërmarrjet, e cila njëherit është edhe aksionari kryesor i tyre, thuhet se sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, “me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, zyrtari ka për detyrë që të parandaloj dhe të zgjidhë vet në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij publike dhe private.”

Ndërkohë, ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, mundëson sinjalizimin e shkeljeve në sektorin publik dhe privat dhe mbrojtja e sinjalizuesve.

Prandaj, në kuptim të këtij ligji, çdo institucion duhet të ketë një Zyrtar përgjegjës – person i caktuar nga institucioni publik apo subjekti privat për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin. “Në kontekst të kësaj që u tha më lartë NP-të obligohen në zbatim edhe të legjislacionit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, me qëllim forcimin e integritetit të sektorit publik”, përfundon kërkesa e ministrisë. /Buletini Ekonomik/