Edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka reaguar pas raportimeve të shumta nëpër media për shkeljen e të drejtave të konsumatorëve nga ana e operatorëve kabllor në vend.
Inspektorati i Tregut brenda kësaj ministrie tashmë ka inicuar edhe kërkesën për procedurë kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë më datë 23.09.2021 për një operator ekonomik, përcjell Buletini Ekonomik.
Shumë konsumatorë janë ankuar qe disa ditë për padrejtësitë që po iu bëhen atyre me rastin e lidhjeve të kontratave me operatorët kabllor dhe pamundësinë e tyre për shkëputje të kontratave para kohe duke u kërcënuar kështu me përmbarues nga operatorët.
Në njoftimin e bërë sot nga kjo ministri (MINT), është thënë se vetëm deri në muajin shtaor të këtij viti, në Departamentin e Inspektoratit të Tregut kanë shkuar gjithsej 180 ankesa nga qytetarët, të cilët janë ankuar lidhur me shërbimet e telekomunikimit kabllor të ofruar nga një operator ekonomik.
Sipas njoftimit të bërë, ankesat kanë të bëjnë me ndërprerjen e transmetimit të disa kanaleve pa asnjë paralajmërim apo njoftim paraprak, gjë që i ka shtyrë një numër të madh të konsumatorëve të bëjnë ankesë me pretendimin se janë mashktruar nga operatori përkatës.
Gjithashtu operatorët kabllor, dia prej tyre, kanë vendosur kushte të padrejta nëpër kontrata duke i kushtëzuar kështu klientët që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, klienti apo konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur, edhe pse i njëjti nuk ka mundësi t’i shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën.
Përveç kësaj, nga Inspektorët e Inspektoratit të Tregut brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është thënë se në bazë të ankesave që kanë pranuar, operatorët kabllor në vend kanë bërë edhe reklama mashtruese për klientët duke promovuar shërbime të cilat nuk i ofrojnë fare, ose kanë qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojnë.
“Duke u bazuar në nenin 9, paragrafin 1, pika 1.3, të Ligjit nr. 03/L-181 për Inspektoratin dhe mbikëqyrjen e Tregut, inspektorët e tregut kanë realizuar inspektim tek operatori ekonomik, ku kanë analizuar dokumentacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik, ankesat e konsumatorëve, provat materiale dhe në bazë të këtyre dëshmive ka rezultuar se operatori ekonomik ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /Buletini Ekonomik/