Gjermania nuk sheh ndonjë shenjë se mund të përballet me mungesë karburantesh në pompa si në Britaninë e Madhe, tha të mërkurën një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë.
“Nuk shohim ndonjë mungesë në Gjermani. Gjendja me furnizime është e mirë, siguria është e lartë”, tha zëdhënësi i kësaj ministrie në një konferencë për gazetarë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Britania është përfshirë nga blerja me panik e karburanteve, pas lajmit se ka mungesë të madhe të vozitësve të cisternave. Shumë pompa janë mbyllur për shkak të blerjes masive të këtij produkti, ndërsa në pompa të tjera janë krijuar kolona me vetura.
Kryeministri Johnson është munduar që ta qetësojë publikun duke thënë se furnizimet po i kthehen normalitetit dhe bëri thirrje që njerëzit të mos blejnë karburante me panik. Sidoqoftë, në shumë rajone, pompat ende janë të mbyllura dhe vozitësit po presin në radhë në pompa ku ende ka karburant.
Reporterët e agjencisë Reuters panë kolona të gjata para pompave që nga ora 6 e mëngjesit në veri të Londrës dhe në autostradën e ngarkuar, M25, e cila sillet përreth kryeqytetit britanik. Reporterët panë edhe njoftime për mungesë të karburanteve.
Qeveria ka vënë në gjendje gatishmërie 150 vozitës ushtarakë të cisternave. Mediet kanë raportuar se ata mund të angazhohen në ditët e ardhshme.