Murati: Ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë do të përfundojë brenda këtij mandati

Është mbajtur dje në Shkup mbledhja e parë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut më çrast u nënshkruan 11 marrëveshje.

Në këtë mbledhje, përveç kryeministrit Kurti nga Qeveria e Kosovës morën pjesë edhe disa ministra nga kabineti qeveritar ku mes tyre ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes së nënshkruar nga dy qeveritë është edhe ndërtimi i rrugës që lidh Prizrenin me Tetovën e që sipas Muratit, synim i Qeverisë së Kosovës është që kjo rrugë të përfundoj brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Reklama e sponzorizuar

“Ne si qeveri jemi të përkushtuar që ky projekt të përfundoj brenda këtij mandati. Ne, qysh tani do të nisim me përgatitjen e studimit të fizibilitetit dhe përzgjedhjen e opsioneve ku ka disa opsione. Sapo ta kemi një opsion, ne si Qeveri e Kosvoës jemi të përkushtuar që sa më shpejt të nis dhe të përfundoj ky projekt brenda këtij mandati”, është shprehur Murati.

Sipas Sveçlës, kjo ishte një mbledhje historike për të dy palët ku shprehen vullnetin për bashkëpunime substanciale, teksa tha se përveç 11 marrëveshjeve të nënshkruara është edhe një numër tjetër i marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen.

“Janë nënshkruar 11 marrëveshje dhe janë një numër tjetër i marrëveshjeve që janë duke u përgatitur dhe do të nënshkruhen e do të sjellin një ndryshim për raportet mes dy vendeve”.

“Përveç nënshkrimit të marrëveshjeve, u zotuam për implementimin pikë për pikë të këtyre marrëveshjeve”, është shprehur Sveçla, njofton Klankosova.tv.