Zagreb, shtator – Çmimet e konsumit në Kroaci, në muajin gusht janë ngritur 3,1 për qind, që është shkalla më e lartë që nga prilli i vitit 2013, kur ngritja e çmimeve kishte qenë 3,3 për qind.
Njëkohësisht, është ngritur edhe inflacioni në krahasim me muajin korrik, tregojnë të dhënat e Entit të Statistikave të Kroacisë.
Rritja e parë e fuqishme e inflacionit në Kroaci ka ndodhur në muajin prill të këtij viti kur inflacioni u lartësua 2,1 për qind, dhe kjo ngritje ishte më e madhja që nga gushti i vitit 2018. Kjo shkallë e inflacionit kishte mbetur e njëjtë deri në muajin maj të këtij viti, ndërsa në qershor është shënuar një rënie e vogël e inflacionit, për t’u ngritur në korrik në 2,8 për qind dhe më pastaj në gusht në 3, 1 për qind.
Sipas statisikave, më së shumti janë ngritur çmimet e trafikut – 9,9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Të dhënat statistikore tregojnë se shërbimet e trafikut ajror janë ngritur 46,7 për qind, ndërsa ato të udhëtimit detar 18,1 për qind.
Në restorante dhe hotele vetëm çmimet e shërbimeve të fjetjes në nivelin vjetor janë ngritur 12,2 për qind, ndërsa çmimi i ushqimit, që e përbën pjesën më të madhe të “shportës” të shpenzimeve, ngritja e çmimeve ka nis gjatë korrikut, kështu që ato janë më të larta mesatarisht në nivelin vjetor 2,4 për qind, transmeton Index.hr. /Buletini Ekonomik/