Kryetarët e komunave i përkrahin masat e reja antiCOVID-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës dhe duke filluar nga sot asnjë zyrtar komunal i pa vaksinuar dhe që nuk e posedon testin PCR nuk do të mund të ketë qasje në institucionet komunale.
Kështu ka deklaruar drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, dje për mediet e Kosovës, duke dhënë detaje nga takimi që kryetarët e komunave kishin me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ibrahimi tha se në këtë takim janë diskutuar masat e fundit të Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19, të cilat hyjnë në fuqi nga sot e që janë mbyllja e institucioneve parashkollore e qëndrimeve ditore, mbyllja e çerdheve, shtyrja e fillimit të mësimit për dy javë, ndalimi i mësimit me prezencë fizike në universitete. Po ashtu studentët për t’iu mundësuar regjistrimi në konvikt, duhet të kenë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik.
Po ashtu Ibrahimi vlerëson edhe se kryetarët e komunave i përkrahin masat e reja, pasi që ato për prioritet e kanë jetën e qytetarit.
Duke marrë parasysh rastet e reja me COVID-19 e që ndër to po preken edhe fëmijë nga 0 deri 9dhe nga 9 deri në 16 e arsyeshme është parë që mësimi të shtyhet edhe për dy javë, ka potencuar Ibrahimi.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se nga sot asnjë zyrtarë komunal që nuk është i vaksinuar dhe që nuk e ka testin PCR nuk do të mund të qaset në institucionet komunale.