Një në dhjetë e të punësuarve në Shqipëri paguhen nën kufirin e varfërisë prej 5 dollarësh në ditë

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka përllogaritur se gjatë vitit 2020, në Shqipëri 12 për qind e totalit të të punësuarve morën paga nën kufirin e varfërisë relative 5 dollarë në ditë.

Statistikat e institucionit ndërkombëtar tregojnë se më shumë se 1/10 e të punësuarve paguhen nga 3-5 dollarë në ditë.

Pesha e të punësuarve me pagë nën kufirin e varfërisë erdhi në ulje gjatë vitit 2020, por jo si pasojë e rritjes së mirëqenies por për shkak se pandemia COVID-19 goditi dhe la të papunë të punësuarit me pagë të ulët.

Reklama e sponzorizuar

Sipas përllogaritjeve të ILO-s, 12 për qind e të punësuarve në vendin tonë marrin një pagë mujore maksimumi 150 euro [18 mijë lekë]. Shqipëria konsiderohet nga një infomalitet i lartë në tregun e punës. Nga të dhënat e INSTAT-it, në vitin 2020, informaliteti në sektorin e biznesit ishte 30 për qind.

Puna në të zezë paguhet pak dhe nuk respekton standardin që referon Kodin i Punës dhe ligjet vendase, ku paga minimale gjatë vitit 2020 ishte 215 euro [26 mijë lekë] kundrejt 40 orëve në javë. Në fabrikat fason dhe njësi të tjera të shërbimeve dhe tregtisë me pakicë, punonjësit punojnë 6 ditë në javë me orë të zgjatura dhe me paga që nuk arrijnë në nivelin e pagës minimale.

Teksa të drejtat e punonjësve mbi orët e punës dhe pagat nuk respektohen, në Shqipëri, thuajse nuk funksionojnë organizatat sindikale që avokojnë të drejtat e punonjësve që u jep ligji.

Gjithashtu përveç punonjësve që janë humbësit më të mëdhenj, shteti është humbësi i dytë më i madh pasi për shkak të informalitetit të lartë në tregun e punës dhe në nivelin e pagave, nuk merr taksat nga pagat të tilla si sigurime shoqërore, shëndetësore dhe TAP.

Që nga rënia e regjimit komunist, Shqipëria u rrit nga një prej vendeve më të varfra në Evropë në vitet 1990 në një vend me të ardhura të mesme të larta. Rezultatet e tregut të punës u përmirësuan gradualisht gjatë viteve të fundit dhe në vitin 2019, Shqipëria kishte shkallën më të lartë të punësimit midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor apo 67 për qind. Pandemia COVID-19 çoi në një reduktim të përkohshëm të punësimit, por normat e punësimit po rikthehen në nivelet e vjetra në fund të 2020-së.

Sfidat kryesore të tregut shqiptar të punës mbeten papunësia e lartë e të rinjve, një përqindje e lartë e të rinjve jo në arsim, punësim apo trajnim, nivele shumë të larta të punësimit joformal dhe një përqindje e lartë e fuqisë punëtore të punësuar në bujqësi apo 42 për qind, kryesisht në punë me aftësi të ulëta dhe me produktivitet të ulët. /Monitor/