OTP po vazhdon zgjerimin në tregjet e Ballkanit Perëndimor.
Grupi bankar hungarez ka arritur një marrëveshje për blerjen e bankës së dytë më të madhe tregtare sllovene, Nova Kreditna Banka Maribor.
Marrëveshja është arritur në fund të muajit qershor të këtij viti, ndërsa ndodhet në fazën e miratimit nga autoritetet rregullatore të vendeve të përfshira. Sipas parashikimeve ligjore, ky transaksion është paraqitur formalisht për miratim edhe pranë Autoritetit shqiptar të Konkurrencës, duke qenë se OTP është e pranishme edhe në tregun shqiptar.
OTP hyri në tregun slloven në vitin 2019, kur bleu filialin slloven të Societe Generale, SKB Banka, në kuadrin e marrëveshjes së blerjes së gjithë rrjetit rajonal të grupit francez. Pas blerjes së Nova Kreditna Banka Maribor, OTP do të zotërojnë rreth 30% të tregut bankar në Slloveni, duke kaluar grupin vendas NLB dhe duke u bërë grupi më i madhe në tregun slloven.
Transaksioni në fjalë është një tjetër dëshmi e interesit të grupit hungarez për një zgjerim të mëtejshëm në tregjet e rajonit, qëllim ky i pranuar shpeshherë publikisht nga drejtuesit e bankës. Nuk përjashtohet që tregu i radhës ku hungarezët mund të zgjerohen më tej të jetë pikërisht Shqipëria. rasti për t’u zgjeruar është pikërisht nxjerrja në shitja e Alpha Bank Albania.
Sipas burimeve nga tregu, OTP ishte një nga aktorët e interesuar në fazën e shprehjes së interesit për blerjen e bankës me kapital grek. Madje, perceptimi mes subjekteve në garë është se OTP mund të jetë favorite në këtë proces, për shkak të disponibilitetit të madh për të investuar dhe strategjisë agresive të zgjerimit në rajon që kanë ndërmarrë vitet e fundit.
OTP hyri në tregun shqiptar në vitin 2019, me blerjen e bankës Societe Generale Albania.
Në mesin e këtij vitit 2021, OTP Banka Albania ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri, me 6.1% të aktiveve totale të tregut. Njëkohësisht, OTP është huadhënësi i katërt më i madh, me 10.3% të portofolit total të kredisë. Në vitet e fundit, OTP ka qenë njëkohësisht ndër bankat me nivelet më të larta të kthimit nga kapitali. Performanca e kënaqshme financiare e bankës është një tjetër faktor që mund ta nxisë grupin bankar hungarez të tentojë një zgjerim të pjesës së tregut në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Alpha Bank Albania zotëron rreth 4.8% të aktiveve të sektorit bankar shqiptar, përmasë që i ofron bankave pretendente për ta blerë mundësinë për një rritje domethënëse në pjesën e tregut.