Për gjashtë muaj, mbi 460 milionë euro investime të huaja në Shqipëri

Euro

Janë 463 milionë euro të huaja është vlera e investimeve të huaja direkte që ka thithur Shqipëria në pjesën e parë të vitit, duke shënuar një rritje të lehtë prej 3 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimet të huaja këtë 6-mujor janë dominuar nga sektori i industrisë nxjerrëse ku vlera e tyre arriti në95 milionë euro në fund të qershorit duke shënuar rritje kundrejt 2020-së.

Ndërsa rritjen më të fortë e kanë shënuar investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme duke e çuar totalin e tyre në 80 milionë euro në gjysmën e parë të vitit, teksa më shumë flukse të investimeve të huaja janë tërhequr edhe në sektorin e sistemit financiar si dhe atë të industrisë përpunuese.

Reklama e sponzorizuar

Përfundimet e projekteve energjetike TAP dhe Devoll nga ana tjetër kanë bërë që investimet e huaja në këtë sektor të tkurren ndjeshëm me 112 milionë euro më pak se 6-mujori i 2020-së.

Holanda kryeson edhe listën si investitori më i madh i huaj në vend me 104 milionë euro deri në fund të qershorit, pavarësisht se vlera e flukseve hyrëse nga ky shtet shënoi rënie të ndjeshme këtë periudhë.

Pas saj, investitori i dytë më i madh renditet Italia me një fluks total prej 61 milionë euro, ndjekur nga Turqia dhe Franca përkatësisht me 48 dhe 47 milionë euro flukse hyrëse nga investimet e huaja direkte nga këto shtete.

Ndërsa, investimet zvicerane kanë parë një tkurrje të fortë duke u ulur në 28 milionë euro, nga 117 milionë euro që arritën në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht si rrjedhojë e shuarjes së efekteve të përfundimit të gazsjellësit TAP, duke ulur peshën e tyre pasi gjatë dy viteve të fundit ecuria e investimeve nga ky shtet ka qenë kryesisht e lidhur me këtë investim madhor. /TCH/