Shqipëria renditet ndër vendet që e përdor më pak bankingun nga interneti, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.
Sipas hartës së institucionit statistikor europian, përqindja e shtetasve shqiptarë të moshës nga 16-74 vjeç që përdorën internet banking gjatë tre muajve përpara vëzhgimit në 2020-n ishte më pak se 28%, duke e futur vendin tonë në listën e shteteve të ngjyrosura me blu, që kanë aksesin më të ulët në këtë shërbim. Në fakt, të gjithë vendet e Ballkanit ndodhen pak a shumë në të njëjtin pozicion.
Sipas raportit të Eurostat, vitet e fundit, një nga zhvillimet kryesore brenda sektorit bankar të Bashkimit Europian ka qenë zgjerimi i shërbimeve online. Frekuenca me të cilën konsumatorët vizitojnë degën e tyre lokale ka rënë me shpejtësi, ndërsa janë bërë normale transferimet online dhe pagesat elektronike. Në disa tregje janë zhvilluar bankat në internet (ose virtuale) që nuk kanë asnjë degë fizike.
Si të tilla, bankat e internetit eliminojnë shpenzimet e përgjithshme që lidhen me drejtimin e degëve lokale dhe ato shpesh janë në një pozitë më të mirë për të ofruar shërbime më konkurruese sesa bankat me “tulla dhe llaç”.
Në vitin 2020, pothuajse tre të pestat (58 %) e popullsisë së rritur të BE-së (të moshës 16-74 vjeç) përdorën internetin për shërbime bankare gjatë tre muajve para sondazhit të fundit. Ashtu si me shumicën e aktiviteteve të internetit, kishte disa dallime mjaft të mëdha midis grupmoshave në lidhje me marrjen e bankingut në internet.
Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç kanë më shumë gjasa të përdorin internet banking (75%), ndërsa pesha për të moshuarit (mosha 65-74 vjeç) ishte 34 %.
Përdorimi i bankingut përmes internetit, deri diku reflekton disponueshmërinë e lidhjeve të internetit me brez të gjerë. Sidoqoftë, zgjedhja e një individi nëse do përdorë internetin ose jo, për bankat lidhet me çështjen e besimit (e cila mund të reflektojë karakteristikat kombëtare). Në vitin 2020, të paktën 70 % e të rriturve përdorën internet banking në çdo rajon të zhvilluar të Danimarkës, Estonisë, Letonisë, Luksemburgut, Holandës, Finlandës dhe Suedisë.
Përdorimi i pagesave nga interneti në rritje
Ndonëse ende në nivele të ulëta, përdorimi i pagesave bankare në distancë po shfaq tendenca të rritjes së mëtejshme gjatë muajve të parë të vitit në vend. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për muajin maj, vlera e transaksioneve përmes kanaleve të bankingut në distancë arriti nivelin më të lartë të shënuar këtë vit, prej afërsisht 110 miliardë lekësh.
Për pesë muajt e parë të vitit 2021, mesatarja mujore e transaksioneve bankave në distancë rezulton rreth 94.8 miliardë lekë, nga 87.1 miliardë lekë që ishte mesatarja mujore e vlerës së transaksioneve për vitin 2020.
Rritja është e prekshme edhe e matur si numër transaksionesh, me një mesatare mujore prej rreth 380 mijë, nga 343 mijë që kishte qenë mesatarja e vitit të kaluar.
Bankingu në distancë (home banking) përfshin ato veprime bankare që ekzekutohen pa qenë nevoja që klienti të shkojë fizikisht në bankë. Kanalet kryesore përmes të cilat kryhen këto veprime janë internet banking apo mobile banking, por tashmë këto shërbime po shkrihen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Shumica e bankave e ofrojnë shërbimin e internet banking edhe përmes aplikacioneve në telefonat celularë, me qëllim për t’iu përshtatur tendencës së mobilitetit në përdorimin e internetit.
Përdorimi i internet banking është në rritje për të trembëdhjetin vit radhazi, edhe falë shtysës së mëtejshme që pandemia i dha përdorimit të kanaleve të bankingut në distancë vitin e kaluar.
Në fund të vitit 2020, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33%. Rreth 89% e llogarive të lidhura me internetin i takojnë individëve, që njëkohësisht zotërojnë edhe peshën më të lartë në strukturën e llogarive bankare.
Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019. /Revista Monitor/