Qeveria: Përfaqësues të shoqërisë civile do të monitorojnë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të ndërmarrjeve publike

Zyra e Kryeministrit është në proces të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve drejtuese të Ndërmarrjeve Publike si; Posta e Kosovës Sh.A., Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidromorava Sh.A. Gjilan dhe Trepça Sh.A.

Kështu thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Në ditët në vijim komisionet rekomanduese të emëruara me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit do të fillojnë me shqyrtimin e CV-ve (aplikacioneve) të kandidatëve për anëtarë të bordeve drejtuese dhe do të bëhet përzgjedhja e listës së ngushtë të kandidatëve për t’u intervistuar.

Me qëllim të rritjes së transparencës së këtij procesi, të gjitha Organizatat e Shoqërisë Civile të regjistruara në Kosovë, janë ftuar nga Zyra e Kryeministrit që të monitorojnë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve drejtuese të Ndërmarrjeve Publike të lartcekura”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se deri më tani, disa organizata të shoqërisë kanë emëruar përfaqësuesit e tyre dhe kanë shfaqur interesim për pjesëmarrje në  monitorim të  këtij procesi.

Për organizatat që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi dhe ende se kanë bërë, mund të dërgojnë emrin e personit/ave kontaktues në adresën e kontaktit: [email protected] apo edhe të kontaktoni për ndonjë sqarim në numrat e telefonit 03820014400 dhe 03820014334.