Numri i udhëtimeve ndërkombëtare të autobusëve është rritur këtë vit. Për këtë kërkohet që inspektimet të bëhen ditore.
Inxhinieri i komunikacionit, Bekim Ahmeti, tha për Ekonomia Online se është e rëndësishme që të kontrollohen oraret e itinerareve të kompanive të autobusëve, për të parë nëse kanë shofer të mjaftueshëm për udhëtime të gjata.
“Siç dihet pas aksidentit në Kroaci rasti është përhap sa që ka dal në pah që kompanitë zakonisht i shfrytëzojnë punëtorët zakonisht shoferët, dhe për këtë është dashtë me marr masa më të rrepta në aspektin e kontrollimit të kompanive të autobusëve apo operatorëve transportues në kohën e pushimeve, kohëve të ngasjes e kështu me radhë”.
“Ish dashtë të kishte kontrolle, dhe jo të vetëdijesohemi pasi ndodhin rastet. Nuk e di çfarë masa ka marrë ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Transportit, çfarë masa ka marrë besoj që ka marr masa të duhura. Ish dashtë që të gjitha kompanive të merren oraret itineraret e të shikohet se në çfarë gjendje janë shoferët për momentin dhe në çfarë gjendje janë në të kaluarën”.
Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online nga Inspektorati i ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës thonë se bëjnë inspektime në bazë të planeve mujore dhe në rastet kur kanë ankesa nga palët e treta.
“Sa i përket transportit rrugor të udhëtarëve ( transportit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar) inspektohet vazhdimisht, gjithmonë brenda kapaciteteve tona inspektuese. Gjatë inspektimeve, me procesverbal konstatohet gjendja reale me të cilën një kompani transportuese operon dhe varësisht prej shkeljeve merren edhe veprimet ndëshkuese sipas dispozitave ligjore që e rregullojnë fushën e transportit rrugor”.
“Zakonisht shqiptojmë: Masa administrative ( Vendime për eliminim të parregullsive) dhe Masa kundërvajtëse ( gjoba mandatore)”.
Ndërsa, Ahmeti thotë se inspektimet duhet të jenë ditore.
“Inspektime duhet të jenë ditore e javore, e jo mujore e vjetore, sepse komunikacionin e ndajmë në komunikacion të përhershëm dhe atë sezonal… Zakonisht i kemi dy lloj flukse të mëdha të komunikacionit gjatë ndërrimit të fundvitit dhe të pushimeve verore, dhe në këto kohë duhet të ketë kontrolle të rrepta. Ndërsa kontrolle të vazhdueshme duhet të ketë në çdo sezon”.
Në anën tjetër, kryeshefi i “Stacionit të Autobusëve”, Luan Hoti, tha se ka pasur ngritje të udhëtimeve ndërkombëtare këtë vit.
“Sa i përket udhëtimeve ndërkombëtare, Stacioni i Autobusëve bën lidhjen e 29 destinacioneve të ndryshme. Viti 2019 ka qenë mjaftë i suksesshëm, mirëpo, 2020 ka qenë viti i pandemisë ku kemi pas një rënie shumë të madhe, sivjet kemi një ngritje. Në krahasim me vitin e kaluar kemi rritje 38 për qind të linjave, mirëpo në krahasim me 2019 pasi që ky vit ka qenë shumë i suksesshëm, ende kemi një rritje 7 për qind më pak se në vitin 2019. Mirëpo, duke e pasur gjendjen aktual ne jemi shumë të kënaqur… Për çdo muaj kemi ngritje të linjave dhe mund të them se është vit mjaftë i suksesshëm. Besoj që fundi vitit do të jetë i suksesshëm në afarizmin e ndërmarrjes sonë”.
Tutje, ai tha se inspektorati i komunikacionit vjen shpesh në stacionin e autobusëve në Prishtinë.
“Të gjitha që veprojnë në kuadër të ndërmarrjes sonë duhet t’i kenë rendet e udhëtimit të cilat lëshohen nga ministria e Transportit, pra në bazë të rendeve të udhëtimit nënshkruajmë kontratat lidhur me shërbimet, ndërsa të gjitha ata që nuk kanë rende të udhëtimit jemi të obliguar të mos iu ofrojmë shërbime. Lidhur me kontrollet e udhëtimit është inspektorati, apo Inspektorati i komunikacionit, të cilët punëtorë të këtij institucioni besoj që janë në terren, por edhe vijnë shumë shpesh janë në stacionin e autobusëve tonë, ku bëjnë kontrollet se ai plotësojnë kushtet sipas rregullores apo ligjeve në fuqi. Ne i ofrojmë shërbime vetëm atyre që kanë rende të udhëtimet”.