Shqiptarët mbajnë 4.9 miliardë euro depozita në banka

Depozitat në euro në sektorin bankar shqiptar arritën në 4.9 miliardë euro në fund të muajit korrik.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat në monedhën europiane po vazhdojnë të rriten me ritme të larta edhe këtë vit. Me bazë vjetore, depozitat në euro janë zgjeruar me 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7% që nga fillimi i këtij viti.

Sezoni veror duket se ka përmbushur pritshmërinë e zakonshme të rritjes së prurjeve në euro brenda sistemit. Për qershorin dhe korrikun, depozitat në euro janë shtuar me pothuajse 90 milionë euro në muaj, ndërsa duke iu referuar karakteristikave sezonale është e pritshme që një rritje e lartë të ketë ndodhur edhe gjatë muajit gusht.

Reklama e sponzorizuar

Ashtu si për totalin e depozitave, edhe në strukturën e depozitave në euro dominojnë individët, që zotërojnë rreth 76% të totalit. Krahasuar me një vit më parë, depozitat në euro të individëve në sektorin bankar janë rritur me 9% ose rreth 308 milionë euro. Megjithëse në pakicë, depozitat e kompanive private gjatë 12 muajve të fundit janë rritur me ritme më të shpejta. Në fund të korrikut ato kishin një vlerë 28% më të lartë krahasuar me një vit më parë.

Normat shumë të ulëta të interesit po vazhdojnë të nxisin vendosjen e fondeve në llogari rrjedhëse ose depozita pa afat. Në fund të korrikut, ato përbënin 59.1% të depozitave në euro, nga 54.4% që zinin një vit më parë. Kjo është një tendencë mbizotëruese për depozitat në të gjitha valutat, por që për euron është më e theksuar, sepse normat e interesit janë shumë afër zeros dhe depozituesit nuk kanë shumë stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita pa afat. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e interesit për depozitat me afat në euro në muajin korrik ishte 0.29%, ndërsa për depozitën më të përdorur me afat, atë 12 mujore, norma e interesit ishte vetëm 0.13%.

Ndryshe nga sa po ndodh kredinë, ku leku po fiton terren me ritme të shpejta, euro ngelet dominuese në depozita dhe me sa duket perceptohet si një valutë më e besueshme nga publiku i gjerë. Kjo mund të lidhet me euroizimin e konsiderueshëm të ekonomisë shqiptare dhe faktit që asetet me vlerë të madhe, kryesisht pasuritë e paluajtshme, kuotohen në euro.

Depozitat në valutë të huaj dominojnë strukturën e kursimeve të shqiptarëve në banka, me rreth 51% të totalit. Mes valutave të huaja, pjesa dërrmuese i takon euros.

Rritja e sasisë së euros në vend dëshmohet nga zgjerimi i depozitave bankare, por edhe nga ecuria e kursit të këmbimit valutor. Që nga fillimi i tremujorit të dytë, monedha europiane ka shfaqur një tendencë nënçmimi në kursin e këmbimit me lekun, çka agjentët valutorë e shpjegojnë kryesisht me ofertën e lartë të euros në treg. Rënia e euros kulmoi në muajin gusht, në nivelin e 121.18 lekëve, por një tendencë e pazakontë rënëse po shfaqet edhe gjatë shtatorit. Të enjten euro u këmbye me 121.4 lekë. /Monitor.al/

Burimi: Banka e Shqipërisë