Telekomi për një vit humbi 16 milionë euro, ka mbi 85 milionë euro tjera borxhe

Ndërmarrja publike ‘Telekomi i Kosovës’, vetëm gjatë vitit 2020 ka pësuar humbje prej 16.1 milionë euro dhe në të njëjtën kohë përbën pjesën më të madhe të humbjeve prej të gjitha ndërmarrjeve tjera publike në vend.

Përpos humbjeve që e kanë përcjellur Telekomin prej vitesh, e njëjta ndërmarrje ka edhe shuma të majme me borxhe që i ka të përcaktuara si detyrime afatshkurta dhe afatgjata.

Gjithsej 85 milionë e 434 mijë euro janë detyrimet që duhet t’i paguajë Telekomi. Prej tyre, 73 milionë e 534 mijë janë detyrime afatshkurta, kurse 11 milionë e 900 mijë i ka detyrime afatgjata, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Të hyrat e realizuara nga ndërmarrjet e audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për vitin 2020, janë në shumën e 108 milionë e 503 mijë eurove, kurse totali i shpenzimeve është në shumën e 124 milionë e 622 mijë eurove.

Pesë ndërmarrje publike në vend kishin prezantuar rezultat negativ financiar që në total paraqesin humbje prej 19 milionë e 505 mijë e 305 eurove, ndërsa shtatë ndërmarrjet tjera kishin prezantuar rezultat pozitiv financiar me një fitim total prej vetëm 1 milionë e 109 mijë e 359 eurove.

“Pjesën më të madhe të humbjeve e përbënë Telekomi i Kosovës sh.a në shumën 16.6 milionë €”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori, me anë të këtij raporti ngre shqetësime serioze për stabilitetin financiar të këtyre ndërmarrjeve, të cilat sipas shifrave zyrtare kanë mbi 89,3 milionë euro detyrime afatshkurta dhe 80,3 milionë euro detyrime afatgjata së bashku.

Kthimi i këtyre detyrimeve, sipas ZKA-së është mjaft i pasigurt, duke marrë parasysh faktin se të gjitha ndërmarrjet janë në kufij të rentabilitetit, e në terma real domethënë se operojnë edhe me humbje.

Madje, Auditori i Përgjithshëm thotë se “parimi i vijimësisë së veprimtarisë në disa prej tyre, mund të vije në pikëpyetje serioze.”

E gjithë kjo mund të ndodhë pasi që mbi 89,3 milionë € janë obligime afatshkurtra dhe ekziston rreziku që këto ndërmarrje të mos jenë në gjendje t’i përmbushin këto detyrime në afatet e përcaktuara.

Në një situatë të tillë, Qeveria do të jetë nën presion që t’i mbuloj disa deficite të këtyre ndërmarrjeve për t’iu shmangur procedurave të falimentimit për shkak të interesit publik, bën me dije Auditori.

Prandaj, “nëse nuk merren masa për hartimin e strategjive për tejkalimin e situatës së krijuar, barra financiare e Qeverisë do të ngarkohet edhe më shumë”, thuhet tutje në raport.

 

Humbje masive kishin raportuar ndërmarrjet si: Telekomi i Kosovës mbi 16 milionë euro, KRM Pastrimi Sh.a me 1 milionë e 932 mijë euro, dhe Hortikultura Sh.a e cila kishte raportuar humbje prej 9 mijë e 274 euro e detyrime afatshkurta prej 482 mijë eurove.

Detyrimet afatshkurta në shifrat më të lartat, përpos Telekomit, i ka edhe ndërmarrja Posta e Kosovës, me 4 milionë e 62 mijë euro, pastaj KRU Prishtina, me 4 milionë e 632 mijë euro, KRM Pastrimi Sh.a -2 milionë e 43 mijë euro, dhe Hidroregjioni Jugor Sh.a, Prizren me 2 milionë e 538 mijë euro detyrime.

Hekurudhat e Kosovës-Trainkos Sh.a, ka gjithsej 1 milionë e 396 mijë euro detyrime afatshkurta dhe 1 milionë e 397 mijë euro tjera detyrime afatgjata.

Ndërkohë, sa i përket detyrimeve afatgjata, vendin e parë e zë KRU Prishtina, e cila ka 41 milionë e mbi 213 mijë euro detyrime të tilla, pastaj Hidroregjioni Jugor në Prizren me 15 milionë e 307 mijë euro, Telekomi i Kosovës me 11 milionë e 900 mijë, KRU Hidromorava me mbi 5 milionë euro dhe KRU Bifurkacioni me mbi 3 milionë euro.

Konkluzionet e ZKA-së paraqesin fakte se Bordet Drejtuese të ndërmarrjeve publike, nuk ishin mjaftueshëm të përkushtuara për vendosjen e politikave dhe strategjive për tejkalimin e gjendjes jo të mirë në të cilat ndodhen ato ndërmarrje. Prandaj, përfshirja më aktive e Aksionarit, në këtë rast Qeverisë, në zgjidhjen e problemeve është e domosdoshme.

Rekomandohet që Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe komunat, të sigurojnë që Bordet e Drejtorëve të analizojnë rezultatet financiare të ndërmarrjeve publike, hartojnë dhe sigurojnë zbatimin e planeve të biznesit me qëllim të përmirësimit të gjendjes financiare dhe afarizmit të këtyre ndërmarrjeve. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/