Toka e Kosovës do të mbrohet me Task-Forcë

Sektori i bujqësisë

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore, por në gjithë këto vitet e pasluftës thuajse nuk është respektuar fare. Prandaj, respektimi i këtij ligji në fuksion të stopimit të degradimit të mëtejshëm të tokave bujqësore dhe ndaljes njëherë e përgjithmonë të ndërtimeve të paplanifikuara urbane në tokat më pjellore të vendit, është misioni i Task-Forcës të sapokrijuar nga Qeveria e Kosovës.

 Mehmet Gjata

Më në fund, ndodhi një hap konkret, qoftë edhe si përpjekje, për ta ruajtur sado pak degradimin e mëtejshëm të tokave bujqësore dhe pyjeve të Kosovës. Në muajin korrik të këtij viti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka formuar Task-Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë. Kjo Task-Forcë është formuar me Vendim të Qeverisë së Kosovës -Nr.21/19 të datës 14.07.2021, ndërsa nga MBPZhR-ja, siç theksojnë, kjo Task-Forcë është krijuar me një qëllim: të mbrohen dhe të bëhet i mundshëm shfrytëzimi i ligjshëm i pyjeve dhe po ashtu të mbrohet toka bujqësore në Republikën e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Për degradimin në përmasa alarmuese të pyjeve nga prerja e pakontrolluar, alarmi është ndezur vite përpara. Malet e Kosovës, edhe ato me drunj të pasur industrial, thjesht janë prerë deri më tash, e sidomos në vitet e pasluftës, për t’u tregtuar si dru për ngrohje nëpër tregjet anembanë vendit.

Në këtë mënyrë, nga ndërtimet e pakontrolluara, sipërfaqja e tokës bujqësore në Kosovë nga viti në vit po zvogëlohet. Tokat bujqësore janë shndërruar në zona kinse industriale, por ku dominojnë depo për mallra ekskluzivisht tregtimi, objekte afariste, komerciale dhe banesa kolektive.

Që nga paslufta, në Kosovë qindra e mijëra hektarë të tokave bujqësore, kryesisht rreth magjistraleve në të gjitha komunat e Kosovës, janë përdorur për qëllime jobujqësore. Poashtu, edhe pse mungojnë të dhënat e sakta zyrtare, qindra e mijëra hektarëve të tokës së bukës i është ndërruar destinimi. Sipas disa të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka shumë vite që brenda një viti rreth 500 hektarëve tokë bujqësore u ndërrohet destinimi. Kurse, sipas të dhënave të Sindikatave të Bujqëve, kjo sipërfaqe arrin deri në 1000 hektarë.

Sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të bujqësisë, tokë bujqësore në Kosovë llogariten të jenë rreth 413 mijë hektarë. Nëse kjo sipërfaqe tokë bujqësore llogaritet për kokë banori, sipas zyrtarëve të MBPZhR-së, është shumë e ulët dhe nën mesataren e standardit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së (FAO).

Në fakt, sipas standardeve të FAO-së, limiti i tokës bujqësore për kokë banori është rreth 17 ari për të siguruar të mirat materiale për një zhvillim të qëndrueshëm të njerizimit, derisa, përafërsisht ne kemi vetëm 15 ari tokë bujqësore për kokë banori dhe jemi nën limitin ekzistencial.

Ekspertë të bujqësisë në Kosovë vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen se ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore, përkatësisht vazhdimi i betonizimit të arave tona në të ardhmen do të minimizojë edhe më shumë tokën e bukës.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën e cila u përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzojnë për qëllime jobujqësore. Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro. Mirëpo, ky ligj, në këto vitet e pasluftës deri tani thuajse se nuk është respektuar fare. Prandaj, respektimi i këtij ligji në fuksion të stopimit të degradimit  të mëtejshëm të tokave bujqësore dhe ndaljes njëherë e përgjithmonë të ndërtimeve të paplanifikuara urbane në tokat më pjellore të vendit, është misioni i Task-Forcës  të sapokrijuar nga Qeveria e Kosovës.

Task-Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë, tani për tani në përbërje të 13 anëtarëve, ka shtrirje në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkaq si staf mbështetës e ka Agjencinë Pyjore të Kosovës, Departamentin e Pylltarisë që funksionon në kuadër të MBPZhR-së, si dhe njësitë organizative të pushtetit lokal.

Task-Forca në mandatin e saj e ka për obligim të hartojë Rregulloren e Brendshme të Punës së saj,  e bashkë me këtë edhe Planin e Veprimit. Ndërkaq, nuk ka mandat të shqiptojë masa ndëshkuese, por vetëm konstaton shkeljet aktuale dhe ndërmerr veprime sipas legjislacionit përkatës në fuqi, ndërkaq masat ndëshkimore mund t’i caktojnë vetëm organet kompetente gjyqësore.

Taska-Forca financohet vetëm nga buxheti i Kosovës, buxheti i Ministrisë dhe institucionet tjera relevante nga buxheti i tyre përkatës, përcjell Buletini Ekonomik.

Taska-Forca për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Tokës Bujqësore, e cila do të kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i MBPZhR-së, do të jetë në përbërje të shtatë anëtarëve profesional të ministrive relevante.

Sado që është në nismë të punës, kjo Task-Forcë ka mandat dhe përgjegjësi të madhe për ta ruajtur tokën dhe malet e Kosovës nga “evazioni” dhe betonimi i mëtejshëm. /Buletini Ekonomik/