Që nga paslufta asnjë qeveri, apo institucion vendimmarrës i vendit nuk u tregua i gatshëm për t’i vështruar me sy kritik dështimet tona turistike, dhe as për të ndërmarrë ndonjë hap më konkret për t’i tejkaluar ngecjet në këtë fushë. Dhe dështimet në zhvillimin e turizmit janë evidente dhe janë të shumta.
Mehmet GJATA
Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit (27 shtator) shtetet me të arritura turistike, po edhe ato me minuse në këtë degë ekonomike, promovojnë vlerat e tyre turistike, bëjnë bilancet duke potencuar të arriturat, sukseset por edhe huqjet eventuale.
Kosova ende nuk preokupohet shumë për turizmin, që do të thotë nuk bënë fare këso bilancesh, ose i bën sa për sy e faqe. Kështu ndodhë me vite të tëra. I mungojnë rezultatet dhe rendimentet turistike që ia vlejnë për t’u shënuar. Ndërsa që nga paslufta asnjë qeveri, apo institucion vendimmarrës i vendit nuk u tregua i gatshëm për t’i vështruar me sy kritik dështimet tona turistike, dhe as për të ndërmarrë ndonjë hap më konkret për t’i tejkaluar ngecjet në këtë fushë. Dhe dështimet më zhvillimin e turizmit janë evidente dhe janë të shumta.
Në vendet me potencial real për zhvillimin e turizmit – Brezovica, Malet e Sharrit, Gryka e Rugovës, Shpella e Gadimes, Burimi i Drinit të Bardhë, Prevalla, Monumentet kulturore etj., mungon shumëçka sot e kësaj dite. Pos imazhit të mrekullueshëm që ka falë natyra, ka mungesë infrastrukture si një ndër komponentet më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
Në infrastrukturë, kësaj radhe, po i abstrahojmë rrugët që shpiejnë drejtë këtyre vendeve me potencial turistik, të cilat kështu si janë lënë shumë për të dëshiruar. Por, shumë të theksuara janë mungesat e “aksesorëve” të shumtë të tjerë, si mungesa e terreneve sportive, mungesa e pishinave, terreneve për tenis, shtigjet e biçikletave etj., që do të përmbushnin nevojën e turistit të jashtëm, por edhe atij vendor, çdo ditë e me më shumë kërkesa për t’u çlodhur dhe për t’u relaksuar jo vetëm gjatë fundjavës, pa pasur nevojë që t’ia mësyjnë Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Shqipërsisë, apo Malit të Zi.
Pra, në pjesën dërmuese të vendeve atraktive dhe joshëse turistike te ne, sot e kësaj dite mungojnë këto mundësi. Dëbuese bëhen sidomos pamjet me bërllog dhe qese të panumërta të najllonit në mjediset turistike të vendit.
Në turizmin e Kosovës mungon edhe shumëçka tjetër. Në raste, edhe kushtet elementare. Shkaku i këtyre mungesave nuk është vështirë të gjendet. Në gjithë këto vite, turizmi vazhon të injorohet dhe të nënvlerësohet nga institucionet dhe politikat zhvillimore të vendit. Shpesh herë kjo ka ndodhur nga paaftësitë dhe injoranaca e zyrtarëve kompetentë për nxitjen dhe zhvillimin e kësaj dege ekonomike. Ç’është më keq, turizmi pra, në dokumentet zhvillimore vazhdon të jetë i margjinalizuar, madje edhe në komunat me potencial turistik. Në këtë mënyrë, nga mospërfillja evidente, Kosova megjithë resurset natyrore, fatkeqësisht ende është larg krijimit të imazheve joshëse turistike, por edhe të një identiteti në turizmin rajonal ballkanik, ndërsa për një identitet ndërkombëtar më të gjerë as që mund të bëhet fjalë.
Pesimistët edhe mund të flasin se nuk kemi det, siç e ka Shqipëria, e as ndonjë liqe natyror si Maqedonia e Veriut. Por, duhet përkujtuar se tashmë Shqipëria nuk është atraktive për vizitorët e shumtë dhe nuk identifikohet vetëm me turizmin detar.
Janë bërë tashmë të njohura, madje shumë të popullarizuara dhe të kërkuara nga turistët Alpet Shqiptare dhe fshatrat e Malësisë së Madhe me turizmin malor jo vetëm brenda vendit dhe si të tilla edhe një burim shumë me ndikim në mirëqenien e banorëve të varfër në veri të Shqipërisë.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, krahas Ohrit dhe Strugës ka promovuar edhe shumë pika të tjera turistike atraktive për joshjen e vizitorëve. Duke i parë dhe duke i shijuar të mirat që sjell turizmi, këto dy vende dhe të tjerat në rajon, tanimë me politikat e zhvillimit, kanë zënë të jetësojnë dhe të shndërrojnë në atraksione turistike dhe vlerat historike, arkeologjike, kulturore për të valorizuar mundësitë që ofron turizmi.
Pse Kosova mos të mësojë nga përvojat e fqinjve? Pse ngurron të promovojë turizmin shëndetësor, për të cilin kemi resurse të dëshmuara reale, siç është Banja e Pejës, ajo e Kllokotit, të njohura me ujërat e ndryshme termale? Po të vazhdojmë të bëjmë pyetje për neglizhencën tonë, ato do të ishin të pafundta.
Dhe po t’i bëhet një vështrim, qoftë edhe përciptazi ecurive turistike, shihet stagnimi ynë, për të mos thënë prapakthimi në zhvillimin e turizmit.
Dikur, Brezovica ishte e njohur për skitari brenda kufijve të ish-Jugosllavisë, po se po, por edhe më larg. Ndërkohë, në vitet e pasluftës e humbi edhe namin që e kishte. E la Kosova pas dore Brezovicën. Sikundër që nuk bëri pothuaj asgjë në valorizimin e Bjeshkëve të Rugovës, të Opojës, Shalës së Bajgorës.
Nuk u bë asgjë as në promovimin e resurseve ekzistuese të tjera atraktive të vendit, përkundër të dhënave të bëra publike dhe që flasin bindshëm për mundësitë zhvillimore që ofron turizmi. Dhe ofron shumë.
Sipas OBT (UNTWO), turizmi ka ofruar gjithnjë dhe tani ofron edhe më shumë mundësi zhvillimore. Turizmi sot është një industri e pakrahasueshme për nga impakti që reflekton në uljen e papunësisë në planet. Një në nëntë punonjës në botë mesatarisht punojnë në këtë industri në punë direkte dhe akoma më shumë në punë indirekte. Ndërsa, në Kosovë turizmi vazhdon të mos ketë asnjë prioritet, as në komunat e veçuara me resurse “serioze turistike”.
Deri tash nuk “piu ujë” ekzistimi i një konsesusi tek ekspertët e sektorit dhe politikëbërësit që “përderisa turzimi nuk konisderohet si fushë me prioritet, ndikimi i tij në rritjen ekonomike të Kosovës do të jetë i kufizuar dhe mospërfillës.
Ç’është e vërteta, ish-MTI-ja më herët kishte synuar që industria e turizmit të përbëjë 10-12 për qind të BPV-së deri më 2020-ën. Por, për shkak se në politikat qendrore dhe lokale, turizmi në këto vite nuk gëzoi dhe akoma vazhdon të mos ketë vëmendjen e merituar nga institucionet relevante, këto synime nuk u përmbushën dot.
Profesionistët kosovar më kot alaramojnë vazhdimisht për t’i dhënë pak “prioritet turizmit” për të kompletuar më shpejtë legjislacionin e nevojshëm dhe për të pasur më në fund një strategji më kërkuese, ku do të përfshiheshin vizionet më të qarta e parashikimet më të guximshme për ta avancuar turizmin. Institucionet aktuale qeveritare, pra ato të qeverisë Kurti 2 e kanë rastin të shtojnë përpjekjet e tyre për të identifikuar problemet dhe potencialet e reja atraktive si dhe kategorizimin e këtyre potecialeve dhe resurseve ekzistuese turistike dhe pa humbur kohë t’ia nisin punës për ta pasur një plan strategjik për turizmin.
Për të arritur këtë dhe në mënyrë që të bëhet një hap i efektshën në kuptimin e zhvillimit të turizmit gjithandej ku ka resurse në rajonet dhe territorin e Kosovës, pse mos të aplikojmë shembujt e mirë dhe të frytshëm të valorizimit të vlerave turistike, këshillat, mësimet e përvojat që kanë dhënë rezultate kudo në vendet e njohura me turizëm. /Buletini Ekonomik/