Vendimi për targa, Ministria tregon se ku mund të pajiseni me to

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga sot qytetarët mund të pajisen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, raporton Express.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, MPB’ja ka bërë me dije se këtë mund ta bëjnë nga sot në mesditë.

“Ministria e Punëve të Brendshme me qellim të vazhdimit të informimit të opinionit publik dhe njëherit mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, njofton qytetarët se përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare, nga nesër në mesdite mund të pajisjen edhe në të gjitha qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme që ky vendim të mos pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke shtuar se situata në kufijtë “është e qetë”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.