Qyteti i Venecias do të përdorë kamera mbikëqyrëse dhe aplikacione mobile për mbledhjen e të dhënave për të parë se sa turistë kanë arritur në qytet, ndërkohë që do të aplikohen edhe të tjera rregulla për turistët.
Sistemi i përbërë nga 468 kamera do t’ua mundësojë zyrtarëve që të bëjnë dallimin ndërmjet turistëve nga banorët vendas, të njoftohen me origjinën dhe vendin ku është vendosur turisti dhe të përcaktohet se sa shpejt po lëvizin njerëzit.
Kryetari i Venecias, Luigi Brunjaro, ka thënë se pret që shumë njerëz të ankohen për shkak të këtij vendimi, por detyrë e tij është që ta bëjë qytetin të përshtatshëm për jetesë për ata që banojnë këtu, por edhe për ata që vetëm planifikojnë ta vizitojnë atë, transmetojnë mediet lokale.
Venecia së shpejti do marrë vendimin për të përcaktuar se sa turistë janë shumë, ose të tepërt për qytetin. Nëpërmjet aplikimeve do të përcillen rezervimet, ndërsa po testohen mënyrat se si do të mbyllej qyteti në raste të mbipopullimit.
Kohë më parë është ndaluar hyrja e jahteve të mëdha në kanalet e njohura të qytetit. Do të shikohet edhe shpejtësia e gondolave. Ato rëndom nuk lëvizin me shpejtësi të mëdha, por gjatë pandemisë është vërejtur që uji është bërë i pastër si kristal kur gondolat kanë lëvizur më ngadalë.
“Do të ketë kushte të tjera për rezervime dhe lirime. Nuk mund të lëvizet në kostume të plazhit. Ndalohet kërcimi nga urat, dhe dehja. Secili që të vijë këtu duhet ta respektojë qytetin”, ka thënë Brugnaro. /Përktheu Buletini Ekonomik/