Me qëllim të zbatimit të masave të parapara në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19, Administrata Tatimore pritet t’i shtoj kapacitetet duke punësuar rreth 100 punëtorë të rinj.
Kjo është konfirmuar nga ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke shkruar se për sa i përket masës së parë që lidhet me mbështetjen e punësimit kanë pranuar 2,500 aplikime.
“Deri më tani që nga lansimi i masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 kemi pranuar 2,500 aplikime për të tri masat. Për masën 1.1 kemi pasur 400 aplikime, për masën 1.2 janë 800 aplikime dhe për masën 1.3 kemi pasur rreth 1,300 aplikime. Mund të thuhet se suksesi ka qenë relativisht i mirë”, ka thënë Murati, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, punësimi i këtyre personave do të bëhet për të zbatuar këto masa.
“Synimi ynë është që të gjithë punëtorët të pajisen me kontrata, nuk e përjashtojmë mundësinë që punëdhënësit t’i pajisin me kontrata tjera. Për t’u siguruar që të zbatohet kjo gjë, ne kemi paraparë shtim të kapaciteteve në Administratën Tatimore, më saktësisht bëhet fjalë me rekrutim të rreth 100 personave shtesë, që do të merren saktësisht vetëm me këtë punë”, ka treguar ai.
Murati paralajmëron se do të ketë ndëshkime pas përfundimit të afatit vullnetar për deklarim.
“Fillimisht do të ofrohet mbështetja për ata punëtorë që dëshirojnë të deklarohen vullnetarisht dhe nga mesi i muajit tetor kur përfundon afati i deklarimit vullnetar do të fillon fushata për ndëshkime për ata që nuk e respektojnë ligjin”, paralajmëron Murati.