Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka paralajmëruar se Kosova sikur edhe të gjitha vendet e botës, do të përballet me ngritje të vazhdueshme të çmimit të karburanteve deri në muajin janar të vitit të ardhëshëm.
Këto deklarata Berjani i bëri në një emision të mëngjesit në KTV, ku tha se përkundër që ka pasur ngritje të vazhdueshme të çmimit të derivateve, deri më tani kosovarët janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon.
Ai bëri të ditur se çmimet e e naftës aktualisht po sillen 1.20 cent për litër, kurse benzina 1.27 cent litra.
Ndërkohë, bëri edhe një krahasim mes vendeve të rajonit, duke përmendur kështu Shqipërinë, ku dizeli është 1.52 cent e benzina 1.55 cent. Po ashtu, sipas tij edhe vendet e tjera si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i kanë çmimet e karburanteve më të shtrenjta se Kosova.
“Kur flasim për rajon e kemi Shqipërinë ku dizeli është 1.52 cent e benzina 1.55. Serbia, Maqedonia e Mali i Zi më shtrenjtë se Kosova pos Maqedonisë që e ka akcizën më të ulët te dizeli”, ka thënë ai në emisionin SOT në KTV. Në Kosovë çmimet sillen rreth 1.2 euro për litër dizeli dhe 1.27 për litër benzine”, u shpreh Berjani.
Berjani tregoi po ashtu se çmimet e naftës nuki i përcaktojnë ata si Shoqatë, mirëpo Berza ndërkombëtare dhe organizata prodhuese OPEC, duke pranuar kështu që çmimet janë të shtrenjta për konsumatorin kosovar.
Këtë paralajmërim që e dha sot Berjani se vazhdimisht do të ketë ngritje deri në janar, e ka dhënë edhe organizata prodhuese OPEC për të gjitha vendet e botës dhe pritet që ta prekë edhe Kosovën.
“E them me përgjegjësi që është i shtrenjtë çmimi, por këtë s’e bën shoqata e naftëtarëve, por berza dhe organizata prodhuese OPEC. Kur kemi reduktim më të madh, çmimi është më i lartë. Po fillojmë që nga SHBA-ja e deri në Kosovë është panik e madhe. Organizata prodhuese ka dalë me komunikatë se deri në janar do të ketë probleme dhe ngritje të përditshme të çmimeve. Kjo rritje është duke vazhduar dhe do të ndodhë e s’ka të ndalur. Çmimi me shumicë po rritet e ai me pakicë është real. S’po rriten çmimet në mënyrë të theksuar, por në mënyrë të lehtë. Qytetarët po shërbehen me çmim real. Në tregjet botërore rritja reflekton edhe në Kosovë. Por ne jemi më të lirët në rajon e s’ka nevojë për panik”, vazhdoi tutje Berjani.
Gjithashtu, ai apeloi të qytetarët që të mos bëjnë panik, pasi në Kosovë do të ketë derivate me bollëk. /Buletini Ekonomik/