Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, për një periudhë 5 vjeçare ka avancuar në pozita drejtuese gjithsej 23 punonjës brenda ndërmarrjes, pa asnjë procedurë konkuruese siç kërkohet me ligjet dhe Udhëzimet Administrative në sektorin publik.
Sipas një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për performancën e KOSTT-it, gjatë viteve 2017 deri më 2021, disa punonjës ishin emëruar në pozita drejtuese si Drejtorë departamentesh, Menaxherë të sektorëve dhe Koordinatorë, fillimisht si ushtrues detyre, për t’u pajisur më vonë me kontrata të rregullta pune, ndonëse pa asnjë procedurë konkuruese.
Të gjitha këto emërime nga KOSTT-i ishin bërë pa kurrfarë konkursi të brendshëm dhe pa kaluar nëpër procedura të rekrutimit fare, siç përcaktohet me Udhëzimin Administrativ dhe politikën e rekrutimit dhe selektimit, përcjell Buletini Ekonomik.
“Sipas të dhënave të dhënave të ofruara nga departamenti i burimeve njerëzore në KOSTT për vitet 2017-2021, numri i zyrtarëve të promovuar/avancuar që ushtrojnë pozita drejtuese pa procedura konkurruese ishte 23, prej të cilave për t’i konfirmuar pohimet e menaxhmentit ne i kemi testuar 5 mostra”, thuhet në raport.
Nga ZKA-ja pohojnë se kjo dukuri mund të ketë ndikim në performancën operacionale të KOSTT-it, si dhe mund të ndikojë që kandidatët e emëruar të jenë jo-meritor dhe jo kompetent për atë pozitë drejtuese.
Ndryshe, bazuar në Udhëzimin Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, përkatësisht nenit 4, paragrafi 6, përcaktohet se:
–Organi përkatës i autorizuar me statut apo aktin e brendshëm duhet fillimisht të shpall konkurs të brendshëm, nëse ka më shumë se një kandidat të cilët i plotësojnë kushtet e kërkuara për plotësimin e vendit të lirë të punës.
Ndërsa, referuar pikës 6.1 të Politikës së Rekrutimit dhe selektimit të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve, përcaktohet se:
-Nëse për vendin e lirë të punës ka më shumë se një kandidat brenda Kompanisë të cilët i plotësojnë kushtet e kërkuara atëherë duhet që fillimisht KOSTT të shpall konkurs të brendshëm për plotësimin e vendit të lirë të punës.
Gjithashtu, në pikën 8.1 të politikës së rekrutimit dhe selektimit në KOSTT, përcaktohet se Drejtori i Burimeve Njerëzore në këtë institucion duhet të analizojë nëse ka staf të brendshëm që i plotësojnë kushtet dhe kriteret për atë pozitë në mënyrë që të bëhet shpallja e brendshme.
ZKA-ja rekomandon që Bordi i Drejtorëve dhe Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje duhet të sigurohen që të gjitha rastet e promovimeve dhe avancimeve në pozitat e lira në KOSTT të bëhen përmes konkursit të brendshëm duke respektuar kërkesat e rregullave në fuqi. /Buletini Ekonomik/