Bashkimi Evropian përmes sistemit RASFF ka alarmuar të gjitha vendet që duhet të larguar nga tregu akulloret Bounty, Snickers, Mars dhe Twix, sepse përmbajnë oksidit të etilenit, i cili sipas ekspertëve ka aftësinë të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë kancer.
Madje edhe vetë prodhuesit e këtyre akulloreve kanë kërkuar largimin nga tregu, por në Kosovë vazhdojnë të shiten nëpër dyqane, markete, e pika të derivateve.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka zgjedhur të hesht për këtë çështje, duke mos kthyer as përgjigje, por as duke mos i informuar qytetarët për rrezikun që iu kanoset nga konsumimi i këtyre akulloreve.
Neni 8 i Ligjit të Ushqimi i Republikës së Kosovës obligon Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që t’i informojë qytetarët për çdo rrezik që paraqitet në ndonjë ushqim që konsumojnë.
“Nëse ekziston dyshimi i bazuar se ushqimi për njerëz apo ushqimi për kafshë mund të paraqes rrezik për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve, varësisht nga natyra, serioziteti dhe vëllimi i rrezikut, Agjencia merr masat për informim e opinionit publik mbi natyrën e rrezikut për shëndetin”, thuhet, pos tjerash, në ligj.
Por, institucioni kryesor për kontrollin e ushqimit në Kosovë deri më tani nuk e ka lëshuar as edhe një rresht për këtë rrezik. Asnjë veprim s’ka ndodhur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, që është agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Albanian Post ka dërguar pyetje në adresën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, por nuk ka pranuar përgjigje. Po ashtu pyetje janë dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit për t’iu kërkuar informata shtesë, por nuk kanë kthyer gjë.
Qytetarët nuk e kanë asnjë informacion se a duhet që këto produkte të konsumohen, a paraqesin ndonjë rrezik. Shteti ka zgjedhur të hesht, duke mos ndërmarr asnjë veprim.
Albanian Post është interesuar që t’i shoh nga afër këto produkte nëpër markete, që vazhdojnë të shiten, madje edhe me zbritje.
Burime brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë i kanë thënë Albanian Postit, se inspektorati sanitar nuk ka marr ndonjë veprim, vetëm se ka hartuar një raport, por nuk ka kërkuar largimin e këtyre produkteve kancerogjene nga tregu dhe as asgjësimin e tyre.
Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës që i ka siguruar Albanian Post, nga 6 shkurti deri më 31 korrik të këtij viti në Kosovë kanë hyrë 1 milionë e 691 mijë e 971 kilogram akullore në vlerë prej 4 milionë e 789 mijë eurove.
Por ky institucion nuk i ka dhënë emrat tregtar të akulloreve, ashtu siç ka kërkuar redaksia, duke u arsyetuar se kjo përgjigje duhet të kërkohet në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, por që ky institucion nuk e ka në përgjegjësi mbledhjen e tatimit të produkteve të importit dhe as tarifimin e tyre.
“Derisa sa i përket brendeve të caktuara ju këshilloj të adresoni pyetjet tek agjencioni i ushqimeve, pasi pa lëshuar certifikatë që një produkt ushqimor mund të importohet në Kosovë nuk vijon zhdoganimi. Derisa obligimet ligjore te doganës shtrihen në tarifim, vlerësim dhe mbledhjen e tatimit në produkteve e importit”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.
Mirëpo, bazuar në legjislacionin në fuqi, i vetmi institucion që zhdoganon mallra, është Dogana e Kosovës.
Bashkimi Evropian dha urdhër me 31 korrik të këtij viti, që të tërhiqen nga tregu akulloret e prodhuara nga kompania e huaj, pasi zbuloi oksid etileni te këto produkte ushqimore. Edhe Shqipëria i ka hequr nga tregu këto produkte pas kontrolleve.
Sipas zbulimit, disa akullore Bounty, Snickers, Mars dhe Twix janë të kontaminuara me lëndën kancerogjene të oksidit të etilenit, i cili sipas ekspertëve ka aftësinë të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë kancer.