Asetet e Trustit arrijnë mbi 2.16 miliardë euro

Fotografi ilustruese

Pavarësisht tërheqjes së 10 përqindëshit të Trustit nga kontributdhënësit, asetet e sektorit pensional në vend kanë shënuar rritje vjetore prej 7.5% deri në muajin qershor 2021 dhe kanë arritur vlerën prej gjithsej 2.16 miliardë eurove.

Ndërkohë, vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, këto asete u rritën për 109.1 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kishte pasur rritje për vetëm 93.9 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas raportit më të fundit të BQK-së rreth “Vlerësimit Tremujor të Sistemit Financiar për tremujorin e dytë të 2021”, si pasojë e performancës së kënaqshme të investimeve në tregjet financiare, aktiviteti i sektorit pensional gjatë TM2 2021 është zgjeruar. Ky zgjerim sipas raportit, i atribuohet kryesisht kthimit pozitiv në investime dhe kontributeve të arkëtuara nga kontribut-dhënësit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave në këtë raport, rreth 72.3 përqind e mjeteve të FKPK-së janë të mbajtura jashtë vendit. Saktësisht, në vlera monetare, rreth 1.50 miliardë euro janë të alokuara në fonde të përbashkëta investuese dhe 57.6 milionë euro tjera janë para në transit.

Ndërsa, pjesa e mbetur e mjeteve janë të investuara brenda vendit, dhe arritën vlerën prej 596.0 milionë euro në fund të qershorit 2021. Sipas BQK-së, këto mjete janë kryesisht të investuara në fletë-obligacione dhe bono të thesarit të Qeverisës së Kosovës, të cilat vetëm gjatë TM2 2021 u rritën për 19.9 milionë euro.

Edhe paraja e mbajtur në Bankën Qendrore të Kosovës po ashtu ka shënuar rritje prej 3.0 milionë euro. Ndërkaq, kategoria e mjeteve të deponuara në sektorin bankar në këtë periudhë është tkurrur për 17.1 milionë euro.

“Në këtë tremujor, kontributet e arkëtuara të FKPK-së u shtuan në vlerë prej 52.0 milionë euro, një rritje për 23.1 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet tutje në raport.

Trusti gjatë kësaj periudhe ka realizuar kthim bruto nga investimet në vlerë prej 76.4 milionë euro, krahasuar me kthimin prej 70.3 milionë euro në periudhën e njëjtë të një viti më parë.

“Përveç zbatimit të politikave investuese, performanca e kënaqshme e FKPK u ndikua po ashtu nga diversifikimi i portfolios së fondit përmes instrumenteve të reja financiare, duke lejuar kthim më të mirë dhe shpërndarje të rrezikut”, konstatohet tutje nga raporti.

Ndërkohë, struktura e mjeteve të Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP) është e ngjashme me atë të FKPK-së, ku rreth 77.4 përqind e aseteve janë të investuara jashtë vendit, dhe pjesa e mbetur në Kosovë.

Portfolio e FSKP-së përbëhet kryesisht nga aksionet e investuara jashtë vendit që janë gjithsej 65.4 përqind, obligacionet e qeverive të huaja dhe të Kosovës me 19.5 përqind, paraja e gatshme 7.6 përqind dhe instrumentet tjera me 7.4 përqind.

Në bazë të të dhënave, gjithsej asetet e FSPK-së gjatë TM2 2021 u rritën për 246.3 mijë euro, prej të cilave pjesa më e madhe ishin investime në sektorin e brendshëm.

Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, FSKP-ja kishte kthim negativ në investime në vlerë prej -132.6 mijë euro ( nga -1.6 milionë euro sa ishin në TM2 2020). Ndërsa, vlera e arkëtimeve të reja nga kontribut-dhënësit gjatë TM2 2021 ne FSKP arriti në 123.5 mijë euro ( nga 128.5 mijë euro sa ishin në TM2 2020).

Ndryshe, sektori pensional, si sektori i dytë për nga pesha në sistemin financiar, përbën 26.5 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar. Asetet e sektorit pensional në vendin tonë përbëhen 99.6 përqind nga asetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) dhe 0.4 përqind nga asetet e Fondit SllovenoKosovar të Pensioneve (FSKP). Struktura e aseteve e FKPK-së përbëhet kryesisht nga mjetet e investuara jashtë vendit, por që pesha e tyre gradualisht është zvogëluar kundrejt rritjes së peshës së mjeteve të investuara në vend. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/