Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka raportuar Auditoria e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila njëherit ka kërkuar uljen e pagës për pozitën e Auditorit për 25% të pagës bazë.
Spanca gjatë raportimit në Komision, tha se duke parë situatën dhe standardet kërkon uljen e pagës, në 2 mijë e 800 euro, nga 3 mijë e 821 sa ishte në total duke përfshirë edhe shtesat.
“Sa i përket diskutimit të pagës, e vlerësoj lartë duke i marrë parasysh rrethanat e reja, duke marrë parasysh standardet dhe rrethanat që jemi, kam menduar se do të ishte më e arsyeshme që paga e auditorit të jetë më e ulët për shkak se si zyre ne duhet të demonstrojmë shembull, dhe propozimi im ka qenë se jo një pagë më e lartë se 2 800 euro do të ishte e mjaftueshme. Unë uroj që të merret parasysh propozimi im, sepse ju jeni ligjvënës”.
Spanca gjithashtu ka konfirmuar se do të ketë edhe një raport të pasqyrave financiare për vitin 2021, për Radio Televizionin Publik (RTK).
Deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejtë ta miratojë Ligjin për Paga, derisa e ka cilësuar shembull të mirë që zyrtarët e lartë publik të kërkojnë ulje të pagës.
Ndërsa, kryesuesi i Komisionit, Armend Muja, tha se paga aktuale e Auditorit të Përgjithshëm, e cila është rritur e kap shifrën prej 1 mijë e 950 euro, ndërsa me shtesa e ka bërë atë të shkojë në 3 mijë e 821 euro.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar Qeverinë për vonesën në Ligjin për paga.
“Në këtë drejtim shqetësimi im është te Ligji i pagave, qeveria po vonohet dhe mazhoranca nuk po bënë asnjë presion”.
Por, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka pyetur se nëse preket paga e Auditores së Përgjithshme, a mund të preket edhe paga e auditorëve të tjerë.
“Ju lus që të jeni të kujdesshëm sepse ju ka prekur sindromi i politikanëve, që kur e marrin detyrën çdo gjë ju është dok gabim përpara”, u shpreh Hoti. /Buletini Ekonomik/