BE-ja paraqet planin për lehtësimin e krizës së gazit

Komisioni Evropian ka publikuar një pako me masa për lehtësimin e rritjes së çmimit të energjisë, që ka shkaktuar shtrenjtim të madh të faturave në mbarë Evropën.

Në mesin e propozimeve që janë miratuar përfshihen zvogëlimi i taksave dhe blerja e përbashkët e karburanteve nga vendet anëtare të BE-së, shkruan BBC.

Çmimi i energjisë ka shkuar në nivel rekord për arsye të ndryshme, përfshirë kërkesën e madhe për gaz natyror në kohën kur ekonomitë po rimëkëmben nga pandemia e koronavirusit. Komisioni Evropian ka qenë nën trysni për të marrë masa kundër rritjes së çmimeve.

Reklama e sponzorizuar

Nga janari, çmimi me shumicë për gaz natyror është rritur për 250 për qind, duke sjellë rritje të kostove për klientët dhe bizneset.

 

Të mërkurën, shefja e Komisionit Evropian për Energji, Kadri Simson, tha se komisioni u është përgjigjur thirrjeve për masa duke paraqitur një pako me masa për çmimin e energjisë.

Ajo u bëri thirrje shteteve të BE-së që t’i shqyrtojnë përkrahjen urgjente në të ardhura për amvisëri të ndjeshme, ndihmën shtetërore për kompani dhe uljen e shënjestruar të taksave.

Të gjitha vendeve anëtare gjithashtu iu bë thirrje që ta përdorin fondin e BE-së për rimëkëmbje nga koronavirusi prej 750 miliardë eurosh për të investuar në energji të pastër në mënyrë që të arrihen synimet klimatike të bllokut.