Rritja e inflacionit në Evropë do të jetë më e gjatë sesa pritej, por pritet të bjerë gjatë vitit 2022, tha sot presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, e cila justifikon kështu ruajtjen e normave të interesit historikisht të ulëta.
“Edhe pse rritja aktuale e inflacionit do të zgjasë më shumë sesa pritej, ne presim që ajo të ngadalësohet gjatë vitit të ardhshëm”, shpjegoi Lagarde pas mbledhjes së rregullt të Bordit të Guvernatorëve, që ka vendosur të ruajë të gjitha masat e tij për të mbështetur ekonominë.
“Rritja e inflacionit reflekton kombinimin e tre faktorëve, përkatësisht rritjen e mprehtë të çmimeve të energjisë, rritjen e kërkesës së lidhur me rihapjen e ekonomisë dhe efektet e TVSH-së në Gjermani”, shtoi ajo.
Megjithatë, “presim që ndikimi i këtyre faktorëve të zvogëlohet gjatë vitit 2022”, vazhdoi kreu i BQE.
Rritja e çmimeve ka ardhur duke u përshpejtuar prej disa muajsh në Evropë, duke arritur në 3,4 për qind gjatë një viti në shtator.
Me afrimin e dimrit, çmimet e gazit dhe energjisë elektrike po rriten në kontinent, me shpërthimin e kërkesave për nxitjen e rimëkëmbjes pas pandemisë.
Për më tepër, epidemia e COVID-19 ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit, duke shkaktuar mungesë të lëndëve të para dhe përbërësve, duke rritur presionet inflacioniste.
Çmimet stimulohen edhe nga një efekt bazë për shkak të normës së TVSH-së: në Gjermani, kjo taksë u ul me 3 pikë midis korrikut dhe dhjetorit 2020, për të mbështetur konsumin, në fund të valës së parë të COVID-19.
Përshpejtimi i inflacionit po shqetëson tregjet, por BQE deri më tani është përmbajtur nga “mbireagimi”, për të shmangur ngadalësimin e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë./atsh