Investimet në zgjerimin e kapaciteteve, eksportet me vlerë të shtuar, rritja e eficencës, kalimi drejt teknologjive të gjelbra dhe fokusi te novacionet ishin elementet kryesore të strategjive të kompanive më të mëdha në Europën Juglindore gjatë viteve të fundit, teksa përpiqen të kapin kolegët e tyre të Perëndimit.
Sektori i automobilave ka qenë një ndër industritë me zgjerim të shpejtë në të gjitha vendet e rajonit, për sa i përket kontributit ndaj PBB-së, rritjes së kapacitetit prodhues, vëllimit të investimeve dhe krijimit të vendeve të punës, sidomos në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.
Vendet që kishin ecur më përpara në këtë tendencë ishin më të mirëpozicionuara për të përballuar krizën e shkaktuar nga COVID-19. Sidomos Serbia, e cila është pararojë në zhvillimin e teknologjisë së informacionit, në 2020-n shënoi rënien më të ulët në rajon, me vetëm -1%.
Në Maqedoninë e Veriut, ndonëse ekonomia ra me 4.5%, eksportet e mallrave e shërbimeve ishin të qëndrueshme në 58% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një tkurrje vjetore prej rreth 2 pikë përqindje, sipas Bankës Botërore. Për krahasim, Shqipëria e kishte këtë tregues vetëm 23% të PBB-së, më të ulëtin në rajon, së bashku me Kosovën, dhe pësoi një tkurrje vjetore prej gati 8 pikë përqindje.
Është e vërtetë se vendi ynë e përballoi krizën e pandemisë, me një rënie më të ulët sesa pritej (rreth -4%, nga -7 deri në -9% që ishte parashikimi i zymtë i institucioneve ndërkombëtare), por sektorët të cilët amortizuan rënien, nuk lënë shumë vend për vetëkënaqësi. Ata janë ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, me rritje të paqëndrueshme afatgjatë, të varur nga hapësirat për ndërtim (të cilat po pakësohen) dhe që krijojnë edhe probleme me çmimet spekulative të pasurive të paluajtshme, me potencial shkaktim krizash.
Pandemia nuk duket se e nxiti rendjen drejt teknologjisë dhe novacionit (sipërmarrjet, ndoshta përveç bankave, e “harruan” sa u hap ekonomia), por përkundrazi, e përkeqësoi. Një Indeks i fundit i Inovacionit Global (GII), i publikuar nga Organizata Botërore për Pronësi Intelektuale (WIPO), e rendit Shqipërinë, për vitin 2021, të fundit në rajon (në vendin e 82-të), duke rënë me një pozicion. Me 12 pikë jemi vlerësuar për produktet finale në kërkim dhe teknologji, duke u renditur më dobët se të gjithë elementet e tjera, në vendin e 103-të.
Renditja e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, një publikim traditë i “Monitor” prej më shumë se një dekade, është një pasqyrë e modelit të paqëndrueshëm të zhvillimit, me të cilin përballet ekonomia shqiptare dhe që doli më shumë në pah gjatë pandemisë. Edhe në renditjen e vitit 2020 mbizotërojnë sipërmarrjet tregtare të produkteve të importit, apo karburanteve dhe ka shumë pak biznese prodhuese.
Për ironi, në listën e 10 më të mëdhave në Shqipëri ka dy kompani, të cilat bëjnë vetëm faturime tranziti për të tretët, ndërsa në Serbi e Maqedoni mbizotërojnë sipërmarrjet që prodhojnë pjesë për automjete, produkte farmaceutike etj., me një numër të madh punonjësish e eksporte me vlerë të shtuar të lartë.
Renditja e “Monitor 200” tregon qartë mbizotërimin e modelit që ka në qendër ndërtimin. Qarkullimi vjetor i sipërmarrjeve të lidhura me këtë sektor shënoi një rritje vjetore prej 11.5%, në kontrast me tkurrjen prej 8.5% të të gjitha kompanive të përfshira në renditje.
Hyrjet e reja, shpesh me dyfishim të ardhurash, ishin pikërisht nga ndërtuesit e apartamenteve, që po shiten vrullshëm në vendin më të varfër të Europës. Kjo rendje, nuk mund t’i sjellë qëndrueshmëri ekonomisë në afatin e gjatë, as përmirësim të konkurrueshmërisë, përveçse ndonjë flluske që mund të shkaktojë edhe kriza.
Në një intervistë të para pak ditëve për “Monitor”, zv.presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jürgen Rigterink, rekomandoi se kriza COVID-19 duhet të përdoret si një mundësi për rindërtimin e ekonomive më të gjelbra, më gjithëpërfshirëse dhe të dixhitalizuara.
Asgjë e tillë nuk po ndodh realisht (ndonëse ka përpjekje sporadike), të paktën në afatin e shkurtër. Është normale që bizneset do të orientohen drejt sektorëve me norma të larta kthimi (dhe këtë, për momentin, po ua mundëson ndërtimi), megjithatë është detyrë e qeverisë, tashmë e re dhe e sapozgjedhur, por që vjen nga një model 8-vjeçar i vjetruar, ta çojë ekonominë në një dimension të ri post-pandemik./Monitor.al/