Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur në lidhje me emërimet nëpër ndërmarrjet publike, duke thënë se me emërimin e bordeve të përkohshme kanë dëshmuar se në pozita kanë vendosur profesionistë dhe jo persona në baza të përkatësisë politike.
Rizvanolli po ashtu ka mohuar se zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi është bërë në bazë partiake.
Ajo theksoi se Krasniqi është vlerësuar si i vetmi që i plotëson kriteret edhe nga Ambasada britanike.
“E kemi dëshmuar edhe me emërimin e bordeve të përkohshme, se njerëzit që janë emëruar kanë qenë njerëz profesionistë, me përvojë dhe me integritet profesional e personal, e të cilët në asnjë mënyrë nuk janë zgjedhur në baza të përkatësisë politike”, tha Rizvanolli gjatë intervistës për Telegrafin.
E pyetur për zgjedhjen e ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Rizvanolli tha se ai ka qenë i vetmi person i kualifikuar për ta emëruar në këtë pozitë.
“Bordi siç jeni të informuar sigurisht, në atë proces të rekrutimit e ka mbikëqyrur edhe Ambasada britanike dhe i vetmi person që është konsideruar që i ka plotësuar kriteret për tu emëruar është ai person”, tha Rizvanolli.
“Kjo çështje është e komplikuar më së shumti për faktin sepse kemi një histori të hidhur ku njerëzit pa kualifikimin e duhur janë vendosur në pozita vetëm se e kanë përkrahur një parti politike. Është bërë njëfarë stigmatizimi që nuk duhet të ndodh. Në rastin që cekët, është përzgjedhur jo vetëm prej bordit, është vlerësuar i pari prej bordit dhe është i vlerësuar i pari dhe i vetmi nga Ambasada britanike”, thekson ajo.
Rizvanolli u shpreh se në borde të përkohshme që janë emëruar, nuk ka pasur asnjë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sa u përket bordeve të përkohshme nuk ka pasur asnjë që ka qenë anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, bile mund të thuhet se nganjëherë i kemi bërë padrejtë vetëm se kanë pasur ndonjë lidhje, kjo është e padrejtë. Çka është me rëndësi për mua si ministre, që në secilën pozitë të jenë njerëz të kualifikuar”, tha Rizvanolli.