Familjet në Shqipëri me shpenzime rekord për ushqime në Evropë

Rreth 41 për qind e shpenzimeve totale të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike, një përqindje që është më e larta në rajon dhe në Evropë, thuhet në të dhënat e Eurostat, që i referohen vitit 2019 dhe INSTAT për Shqipërinë.

Pas Shqipërisë më e lartë përqindja e shpenzimeve për ushqime e pije joalkoolike është në Maqedoninë e Veriut me 30.6 për qind, e ndjekur nga Bosnja e Hercegovina me 29.5 për qind, Mali i Zi me 24.5 për qind dhe Serbia me 23.6 për qind, kurse të dhënat për Kosovën mungojnë.

Për Bashkimin Evropian, kjo peshë është 13 për qind. Më e ulëta në Evropë është në Britani të Madhe me 7.9 për qind, ndërsa në vendet e BE-së, peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime e kanë rumunët me 23.1 për qind ndaj totalit.

Reklama e sponzorizuar

Buxheti i lartë që shpenzojnë familjet shqiptare në raport me totalin që ata kanë në dispozicion në një muaj është tregues i varfërisë më të lartë (ushqimet janë shpenzimi i domosdoshëm për mbijetesë), por edhe çmimeve relativisht të larta në raport me të ardhurat.

Vendi ynë ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Evropë në raport me mesataren e BE, por nga ana tjetër niveli i çmimeve në Shqipëri është ndër më të lartat rajonale, duke iu afruar më shumë mesatares së BE-së për vitin 2020. Sidomos, çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Evropës.

Eurostat përllogariti se më 2020 çmimet e artikujve ushqimore në Shqipëri ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu niveli më i lartë në Rajon.

Pesha e lartë e shpenzimeve për ushqime, niveli i ulët i të ardhurave dhe rritja e këtyre të fundit me ritme të ulëta, i bën automatikisht familjet shqiptare më të prekurat dhe goditurat nga rritja e fortë e çmimeve që ka prekur gjithë botën, sidomos të ushqimeve.

Edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), Shqipëria mban rekord. Sipas Eurostat, shpenzimet konsumatorë finale për ushqime dhe pije jo joalkoolike ishin sa 31.5 për qind e PBB-së në vitin 2019, ndërsa vendi i dytë pas nesh është Mali i Zi me 22.7 për qind të PBB-së. Mesatarja e Bashkimit Evropian për këtë tregues është vetëm 6.8 për qind e PBB-së.

Situata e shkaktuar nga pandemia në vitin 2020 ka sjellë ndryshime në strukturën e shpenzimeve për familjen.

Rritjen më të ndjeshme e kanë shënuar shpenzimet për shëndetin, duke reflektuar faktin që shumë njerëz u detyruan që ta përballonin virusin me fondet e veta. Sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndetin u rrit në 5.4 për qind në vitin 2020 nga 4.3 për qind vitin e mëparshëm. Në vlerë, shpenzimet për shëndetin u rritën me 28 për qind, duke arritur në rreth 4,500 lekë [37 euro] në muaj.

Shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” në vitin 2020 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 28 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “vitamina”.

Edhe për ushqime ka një rritje të lehtë, me totalin e shpenzimeve që ka arritur në 41.6 për qind nga 41.3 për qind që ishte vitin e mëparshëm. Shqiptarët janë popullsi që shpenzojnë më shumë për ushqime, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian, kjo peshë është 13 për qind dhe në rajon më e ulët se 40 për qind. /Monitor.al/