Pas ngritjes së çmimeve të grurit dhe të miellit, shpejtë janë ngritur edhe çmimet e bukës, gjithandej nëpër furrat e qyteteve të Kosovës. Në të shumtën e rasteve kjo ngritje është bërë prej 5-10 centë për një bukë 500 gramshe, që vlerësohet si më shumë e plasuar në tregun kosovar të bukës dhe që deri tani ka kushtuar 30-35 centë, varësisht nga furrat, por edhe nga qytetet e Kosovës.
Për 5 deri në 10 centë, gjithnjë buka është tregtuar më shtrenjtë në furrat e kryeqytetit se sa ato të qendrave të tjera komunale.
Edhe në Prishtinë ndryshojnë bukur shumë çmimet e bukës. Furrat që afarojnë në qendër dhe në afërsi të qendrës së Prishtinës e shesin rëndom bukën për 5-10 centë më shtrenjtë se ato që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në lagjet më periferike të kryeqytetit.
Kështu ka ndodhur edhe tani, pas shtrenjtimit më të ri të bukës në Prishtinë. Buka që është shitur në furrat që gravitojnë kah qendra, bukën që shitej 35-40 centë, tani e tregtojnë me 45-50 centë, ndërsa ato që më heret e patën 30-35 centë e kanë rrumbullaksuar çmimin në 40 centë.
Në disa furra e kanë ngritur çmimin edhe te pjekurinat e tjera, madje deri 30 e më shumë për qind, ndërsa te disa furra, pjekurinat – disa prej tyre ende kanë mbetur me çmimet paraprake.
Në Pejë çmimi i bukës ka arritur në 50 centë. Bashkë me çmimin e bukës në këtë qytet është rritur edhe çmimi i pjekurinave, dhe dje një byrek është shitur nga shumica e furrëtarëve pejanë me çmimin 1 euro.
Nga informacionet prej terreni bëhet me dije se edhe në qytetet e tjera të Kosovës, pak a shumë është shënuar kjo rritje e çmit të bukës.
Ndërkaq, në bazë të të dhënave të Agjensisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në periudhën deri në fund të shtatorit çmimi i bukës dhe i drithrave është rritur për 1.5 për qind.
Mirëpo, trendi i vrullshëm i ngritjes së çmimit të bukës në Kosovë ka ndodhur pas ngritjes së çmimit të grurit dhe miellit, por edhe pas ecurive të të gjitha çmimeve në Evropë dhe botë./Buletini Ekonomik/