KMDLNJ kërkon kompensim për qytetarët e dëmtuar, pas vendimit të gjykatës për rrymën e paguar në komunat me shumicë serbe

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për pagesën e rrymës në katër komunat me shumicë serbe për periudhën kohore 2012-2017.

Nga KMDLNj-ja thonë se deri më tani gjithmonë kanë denoncuar fryrjen e faturave të energjisë për konsumatorët e rregullt, dhe e kanë cilësuar si vendim diskriminues, pjesërisht edhe racist si dhe shkelje të të drejtave të njeriut, që rrjedhimisht e cenojnë barazinë e të gjithë qytetarëve të garantuar me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas kësaj organizate, faturimi diskriminues për rrymën e shpenzuar përbën të gjitha elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare përmes falsifikimit të dokumenteve (faturave) dhe paraqitjes së pavërtetë të gjendjes.

Reklama e sponzorizuar

KMDLNj tregon tutje se pret që kur të merret vendimi përfundimtar atëherë do të adresohet edhe përgjegjësia penale e shpërdoruesve të pozitës zyrtare.

“Çdo Qeveri, ministri apo institucion që për shërbime të njëjta favorizon një përkatësi etnike (për qëllime politike) dhe diskriminon përkatësitë tjera etnike shkel në mënyrë më të lakuriquar dhe më brutale të drejtat e njeriut të cilat garantohen dhe mbrohen me ligj dhe për këtë do të kenë përgjegjësi institucionale dhe ligjore”, thuhet tutje në reagimin e tyre. /Buletini Ekonomik/